Botë
Meksikë-zgjedhjet e mesmandatit, shtohen tensionet dhe dhuna
03.06.2015 14:31
Në shtetin e tensionuar meksikan, Guerrero, iu vendos flaka fletëvotimeve dhe materialeve të tjera votuese para zgjedhjeve të mesmandatit, të cilat priten të mbahen të dielën...

Dhuna zgjedhore është shpeshtuar viteve të fundit në Meksikë. Që nga 2007, në ngjarje të dhunshme gjatë zgjedhjeve kanë humbur jetën 100 mijë njerëz.
Kulmin e saj dhuna e arriti shtatorin e kaluar kur zhdukja e 43 studentëve në Guerrero rezultoi me protesta të dhunshme.
Dhuna dhe tensionet kanë dështuar edhe përpjekjet e presidentit, Enrike Pena Nieto, për zhvillimin ekonomik të vendit.
Edhe mbrëmë, protestuesit i vunë zjarrin materialeve zgjedhore, për të dëshmuar përbuzjen e tyre ndaj të gjitha partive politike.
Por, partitë politike vazhdojnë fushatën e tyre. Partia në pushtet, PRI, udhëheq, ndërsa partia e majtë, PRD, ka vetëm 17% të mbështetjes në bazë të anketave të realizuara.
Nga opozita akuzojnë autoritetet se po dështojnë të vendosin sigurinë në vend.
"Autoritetet duhet të garantojnë zgjedhje të qeta dhe demokratike. Ne shpresojmë që njerëzve t’u mundësohet të votojnë të lirë. E vetmja që përfiton nga një prishje e votimit është partia në pushtet. U bëjmë thirrje njerëzve të dalin të votojnë dhe të mos jenë të frikësuar nga ngjarjet e izoluara"- tha kandidati për kryetar nga PRD, Beatriz Mojica.
Janë raportuar edhe sulme në kutitë e votimit në shtetin e trazuar jugor meksikan, Oaksaka, ku mësuesit janë bashkuar në lëvizje kundër reformave të arsimit të propozuara nga presidenti, Pena Nieto.
REJHANE BUSHI-METAJ
