Maqedoni
OEMVP: kriza politike dëmton ekonominë
03.06.2015 14:50
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon urgjentisht stabilizimin e situatës politike, për shkak se po ndikon negativisht në ekonominë e vendit...

Kryetari i ri i OEMVP-së, Nebi Hoxha, prezantoi masat konkrete për dalje nga kriza, që do t’i propozohen qeverisë në një afat të shkurtër kohor.
“Kërkojmë nga Banka Popullore dhe Ministria e Financave të ketë kujdes në transaksionet financiare që të mos kemi rrjedhje të pakontrolluar të parave. Theks të veçantë i realizimit të projekteve të jetë infrastruktura rrugore, në veçanti autostrada që lidhë vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës dhe më tutje që vazhdon në Mal të Zi dhe më gjerë”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Hoxha i bëri apel qeverisë të përmbahet nga premtimet e shumta, që nuk do t’i arrijnë t’i realizojnë.
“Qeveria të përmbahet në premtimet joreale, të cilat nuk mund t’i përmbush, si rritja e pagave, pensioneve, premitë, subvencionet e ndryshme dhe punësimet e tepërta. Qeveria nuk duhet të ngarkohet me borxhe nga vendi dhe jashtë për qëllimet e lartpërmendura dhe së bashku të gjithë të solidarizohemi për një të nesërme më të mirë”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
OEMVP po e monitoron me kujdes situatën politike në vend, sidomos vendimin për zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.
Hoxha konsideron se në këtë situatë duhet të ndërpritet pagesa e K-15 për të punësuarit, sepse, sipas tij, në kushte kur buxheti është i zbrazët duhet të mendohet me zgjuarsi dhe nuk duhet të kërkohet diçka që nuk është e mundur të realizohet.
ERSAN PAJAZITI
