Botë

ShBA dhe Irani në tryezën e negociatave, në fokus, programi bërthamor dhe siguria rajonale

06.02.2026 14:17

Në një moment delikat për stabilitetin rajonal, ShBA-të dhe Irani kanë hapur një kanal të ri dialogu në Oman...

Në një moment delikat për stabilitetin rajonal, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë hapur një kanal të ri dialogu në Oman, duke zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për programin bërthamor të Teheranit. Takimet mbahen në kryeqytetin Muskat dhe vijnë në një kohë kur Uashingtoni ka shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur presionin diplomatik ndaj Iranit. Zyrtarët iranianë kërkojnë që negociatat të fokusohen vetëm te çështjet bërthamore dhe heqja e sanksioneve, ndërsa ShBA-ja këmbëngulë që në tryezë të përfshihen edhe temat e sigurisë rajonale, përfshirë raketat balistike, aktivitetet e grupeve të armatosura dhe politikat e brendshme të Teheranit.
 
“Diplomacia ecën përpara. Presidenti ka qenë shumë i qartë në kërkesat e tij ndaj regjimit iranian. Kapacitet zero bërthamor është diçka për të cilën ai ka qenë tepër i prerë dhe dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje. Ndërkohë, që këto negociata janë duke u zhvilluar, do t’i kujtoja regjimit iranian se presidenti ka shumë opsione të tjera në dispozicion, përtej diplomacisë, si komandant suprem i ushtrisë më të fuqishme në historinë e botës.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
 
Bisedimet përbëjnë një përpjekje serioze për të zbutur tensionet mes palëve, të cilat janë intensifikuar muajve të fundit mes paralajmërimeve për veprime ushtarake dhe një klime të paqëndrueshme rajonale. Ndërkohë, autoritetet iraniane shprehen të gatshme për dialog, por bëjnë të qartë se qëndrimet e tyre mbeten të palëkundura. 
 
“Irani hyn në diplomaci me sy hapur dhe me kujtesë të fortë për vitin e kaluar. Ne angazhohemi me mirëbesim dhe qëndrojmë fort pas të drejtave tona. Detyrimet duhet të respektohen. Statusi i barabartë, respekti i ndërsjellë dhe interesi i përbashkët nuk janë retorikë, ato janë domosdoshmëri dhe shtylla të një marrëveshjeje të qëndrueshme.”, - thanë nga Ministria e Jashtme e Iranit.
 
Udhëheqësit evropianë kanë dënuar agresionin e Teheranit dhe kanë bërë thirrje për de-përshkallëzim. Kancelari gjerman, gjatë një vizite në Katar, i kërkoi Iranit të angazhohet në bisedime për t’i dhënë fund agresionit dhe programit bërthamor.
 
“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi edhe njëherë për t’i bërë thirrje që tani realisht të fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund agresionit, për t’i dhënë fund programit bërthamor, siç është rënë dakord në nivel ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, për të kursyer vende si Katari, Jordania dhe Izraeli nga kërcënime të mëtejshme ushtarake.”, - u shpreh kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
 
Tensionet mes ShBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar javët e fundit, pasi forcat iraniane shtypën protestat antiqeveritare, gjatë të cilave humbën jetën mijëra persona. Kjo e shtyu presidentin Tramp të dërgojë një flotë ushtarake amerikane në rajon. Ushtria iraniane ka paralajmëruar se çdo sulm do të përballet me një përgjigje të vendosur, përfshirë edhe sulme ndaj forcave amerikane në rajon.
 
FARIJ DAUTI BAKIU