Maqedoni

Tetovë, inaugurohet Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit

06.02.2026 15:02

Drejtori Amir Elezi, tha se është investuar në kushte bashkëkohore....

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Bekim Sali, dhe drejtorët Amir e Erzen Elezi, kanë inauguruar Institutin e Mjekësisë së Transfuzionit të gjakut në Tetovë. Drejtori Amir Elezi, tha se është investuar në kushte bashkëkohore. Ndërsa, njoftoi se vitin që lamë pas ka qenë rekord, për sa i përket dhurimit të gjakut nga ana e qytetarëve.
 
“Renovimi i këtij objekti ka filluar në vitin 2024 dhe ka përfunduar tani dhe hapim zyrtarisht tani objektin e ri të transfuzionit të gjakut. Është ndër katër qendrat më të mëdha të shtetit. Viti që lamë pas ishte vit ku u arrit rekord, sa i përket numrit të dhuruesve të gjakut, gjithsej 60.222 ishin dhurues të gjakut në nivel shteti.”, - deklaroi drejtori i Institutit të Transfuziologjisë, Amir Elezi. 
 
Edhe Aliu dhe Sali thanë se si Qeveri do të vazhdojnë të përkrahin dhe investojnë në shëndetësi.
 
“Ne do të vazhdojmë si Ministri e Shëndetësisë të përkrahim gjithçka me shtyllat që i kemi definuar, si në aspekt të intervenimeve infrastrukturore, aspekt të kapaciteteve njerëzore e teknologjike, si me drejtorin e spitalit të Tetovës dhe drejtorin e klinikës, që ta ngremë në nivel të duhur, ashtu siç kërkojnë standardet evropiane.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. 
 
“Si Qeveri jemi në mbështetje të institucioneve tona, natyrisht duke iu përgjigjur nevojave reale të pacientëve dhe institucioneve, të cilat janë në shërbim të pacientëve. Do të jemi në përkrahje të Institutit të Transfuziologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, pasi është një qendër që ka të bëjë me regjionalzimin e shërbimeve mjekësore.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
 
Përndryshe, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se shumë shpejt do të ketë punësime të personelit mjekësor në Spitalin Klinik të Tetovës.
 
VISAR SADIKI