Maqedoni

Sekuestrohen rreth 30 tonë marihuanë, 18 kompanive prodhuese u është marrë leja

06.02.2026 15:43

Rreth 30 tonë marihuanë mjekësore janë sekuestruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë...

Rreth 30 tonë marihuanë mjekësore janë sekuestruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
 
Sipas MPB-së, marihuana është sekuestruar në disa lokacione në Shkup dhe në rajonin e Strumicës. Bëhet fjalë për prodhues të licencuar të kanabisit mjekësor, të cilët lëndën narkotike e kanë magazinuar dhe hedhur në qarkullim në mënyrë të paligjshme. Në Shkup janë sekuestruar 10 tonë marihuanë nga kompania “Alfalab”.
 
Një pjesë e prodhimit të kanabisit mjekësor ka përfunduar në tregun maqedonas, ndërsa një pjesë për eksport, në varësi të kushteve që i kanë përmbushur kompanitë.
 
Nga 61 kompani të licencuara, 43 kultivojnë kanabis. Për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, 14 kompanive u janë hequr licencat, ndërsa është në proces procedura për heqjen e licencave edhe për katër të tjera. Licencat i lëshon Ministria e Shëndetësisë, e cila së bashku me Inspektoratin kryen kontrolle.
 
“Sipas protokolleve tona, çdo tre muaj sektori privat që prodhon kanabis duhet ta njoftojë rregullisht institucionin tonë. Së bashku me Inspektoratin kemi plan vjetor, por realizojmë edhe vizita ad-hoc, nëse paraqitet nevoja.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Këtij zhvillimi të ngjarjeve i parapriu sekuestrimi i 5 tonëve marihuanë në Serbi, për të cilën u konstatua se ishte me origjinë nga Maqedonia. Nga LSDM kërkojnë përgjigje për rastin.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, e ka cilësuar sekuestrimin e marihuanës në Serbi si një rast serioz, duke paralajmëruar se qytetarët e Maqedonisë së shpejti do të jenë dëshmitarë të situatave të rënda dhe të vështira, si dhe se pret që ministria përkatëse të sekuestrojë dhjetëra tonë marihuanë.
 
ARMEND MURSELI