Prishtinë, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

06.02.2026 16:38

Qytetarët kosovarë kanë protestuar para Korporatës Energjetike Distribuuese....

Qytetarët kosovarë kanë protestuar para Korporatës Energjetike Distribuuese në Kosovë dhe para Qeverisë kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike për 20%.

Sipas protestuesve, kompanitë energjetike në Kosovë, me çmimet e larta po i ngulfasin qytetarët, duke luajtur dhe rolin e fajdexhinjve.

Ata paralajmëruan se faturat me çmim më të lartë do të bojkotohen dhe do të bllokohen rrugët e institucionet.

“Në vitin 2022 KEDS kërkon që të shtrenjtohen faturat e rrymës, këta e arsyetojnë se ka shtrenjtim anë e mbanë botës dhe ne i besuam. Vitin tjetër KEDS bëri të njëjtën kërkesë dhe ndonëse skeptik, i lejuam që të vjedhin pak më shumë se vitin e kaluar. Sot KEDS thjesht zgjat dorën drejt në xhepat tonë dhe merr aq sa ia do qejfi. E kemi pa tashmë që kjo dëshirë nuk ngopet askund, se apetiti i KEDS është i gatshëm që të na ngulfatë që të trashë profitin e tyre.”, - deklaroi aktivisti, Erblin Ajdini.

“Populli do të mbetet në terr. Një pjesë e madhe do të mbesim borxh te KEK-u dhe do të mbesim në terr, ja kjo është Qeveria jonë, këta vet i kanë rregulluar punët, voziten me xhipa të zinj, kanë para, kanë luks, hanë ushqime të mira. Ne si do të jetojmë, çka do të hamë e çka do të pimë. Ne vetëm rrymën duhet ta paguajmë dhe ujin, për t’ia plotësuar shtetit pagesat. E ne çka duhet të hamë? Sa barnat e shtrenjta, sa sëmundjet i ka dërguar Zoti, si do të jetojmë ne?!”, - theksoi aktivistja, Sevdije Sadiku.

Gjatë protestës pati edhe tensione mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit arrestoi një qytetarë, i cili u dyshua se ka hedhur me ngjyrë të kuqe në drejtim të KEDS-it, ndërsa protestuesit kundërshtuan arrestimin. (Gyltene Sinani, TVM2)