Ambasadorët e BE-së takojnë Gruevskin, Orav: Interesi i qytetarëve mbi interesin e partive politike

03.06.2015 14:50

Për tejkalimin e krizës politike është e rëndësishme të punohet në interes të qytetarëve, duke u tejkaluar interesat e partive politike...

Mesazhi vjen nga ambasadori i BE-së, Aivo Orav, pas takimit me kryeministrin, Nikolla Gruevski. Orav, duke folur në emër të të gjithë ambasadorëve të vendeve të BE-së, të cilët ishin të pranishëm në takim, tha se me kryeministrin Gruevski është biseduar mbi opsionet e mundshme për dalje nga kriza aktuale politike.

“Porosia jonë kyçe ishte se interesi i qytetarëve është më i rëndësishëm se interesi i partive politike. Sot dëgjuam qëndrimin e kryeministrit për format e përballjes mbi disa çështje mjaft serioze, siç janë sundimi i së drejtës dhe kthimi i besimit në institucione. Ftojmë të gjithë aktorët relevant të kontribuojnë në përmbushjen e këtyre detyrimeve, me qëllim që të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për dalje nga kriza aktuale”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Sipas Orav, mbledhja e sotme nuk ka të bëjë me takimin e djeshëm të katër liderëve me komisionerin për zgjerim, Johanes Han.  Orav, tha se takime të ngjashme planifikon të realizojë edhe me liderët shqiptarë, Ahmetin dhe Thaçin, si dhe liderin e opozitës maqedonase, Zaev. (Meral Ismaili, TVM2)