Maqedoni
Kërçovë, përkujtohet veprimtari, Gafurr Zendeli
03.06.2015 15:18
Në shenjë nderimi për kontributin e tij madhor në të gjitha proceset e organizimit të shqiptarëve...

Në shenjë nderimi për kontributin e tij madhor në të gjitha proceset e organizimit të shqiptarëve, në varrezat e fshatit Llapkidoll sot u bënë homazhe tek varri i veprimtarit, Gafurr Zendeli.
Familjarët e tij, familjarët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ish pjesëtarë të UÇK-së dhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nën përkujdesjen e veçantë të të cilit mbahet ky manifestim, vendosën lule të freskëta mbi varrin e këtij veprimtari të shquar.
Lideri i BDI-së potencoi me këtë rast se Gafuri është ndarë nga miqtë dhe familja vetëm fizikisht, pasi vepra e tij vazhdon të kujtohet si të gjithë veprat e atyre që ia kushtuan jetën veprimtarisë kombëtare dhe idealit të lirisë.
Gafurr Zendeli është një figurë që u takon dy epokave të ndryshme mbarëshqiptare, epokës së lavdishme të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të ushtrive çlirimtare, potencoi kryetari SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
Ai kishte virtyte të larta atdhetare dhe njerëzore, prandaj iu besuan aksione komplekse si gjatë veprimit ilegal ashtu edhe gjatë luftërave për liri dhe barazi.
Ishte gjithmonë pranë komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Ali Ahmetit, dhe dëshmoi afinitete në organizimin e takimeve me diplomatët e huaj, tha veprimtari, Fatmir Limani.
Në fund të këtij përkujtimi, dy vajzat e Gafurrit prezantuan poezi kushtuar babait të tyre dhe shokëve të veprimtarisë dhe idealit kombëtar.
SHABAN DALIPI
