Kërçovë, projekti i USAID-it për arsim të integruar
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ka qëndruar sot në Kërçovë për t’u njohur me funksionimin e administratës komunale dhe për të promovuar projektin “Integrimi ndëretnik në arsim”...

Projekti i USAID-it, tha ambasadori Bejli, përfshin shumë shkolla fillore dhe të mesme në disa komuna të vendit dhe ai ka për qëllim arritjen e ndryshimit të qëndrueshëm dhe përforcimin e kapaciteteve bashkëpunuese.
“Janë vendosur mbi 100 partneritete, në të cilat bashkëpunojnë mësimdhënës dhe nxënës të shkollave me mësim në gjuhë të ndryshme mësimore. Projekti është nismë katërvjeçare me vlerë 5,2 milion dollarë amerikane dhe bashkëpunon me të gjitha institucionet relevante arsimore, duke përkrahur përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë për integrimin ndëretnik”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në RM-së, Xhes Bejli.
Kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, potencoi se Komuna e Kërçovës si partnere e këtij projekti shpreson se i njëjti do të jetë hapi fillestar i bashkëpunimit për zhvillimin e procesit mësimor.
Realizimin e këtij projekti e përshëndeti edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, i cili vuri në dukje së ky projekt i realizuar në një shkollë ku mësimi zhvillohet në shqip, turqisht dhe maqedonisht vjen si rezultat i bashkëpunimit të pushtetit lokal dhe USAID-it. Projekti në Kërçovë ka kushtuar 37 mijë euro. (Shaban Dalipi, TVM2)
