Botë

Ukrainë, Rusia sulmon objektet energjetike

08.02.2026 15:30

Në vijën e frontit në Ukrianë po zhvillohen luftime të ashpra me forcat ruse...

Në vijën e frontit në Ukrianë po zhvillohen luftime të ashpra me forcat ruse, veçanërisht në sektorin e Pokrovskut. Presidenti ukrainas Zelensky ka kritikuar Rusinë, sidomos për sulmet ndaj objekteve energjetike, nga të cilat varet edhe funksionimi i centraleve bërthamore. 
 
“Ky është një nivel sulmi që asnjë terrorist në botë nuk ia ka lejuar vetes, dhe Rusia duhet ta ndiejë përgjigjen e gjithë botës, të gjithë atyre që vërtet kujdesen për sigurinë. Rusia duhet të tregojë se jo vetëm sulme të tilla dhe vetë lufta janë të rëndësishme për të, por edhe negociatat që po zhvillohen dhe që duhet të japin rezultate”, deklaroi president i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Rusi, tre të arrestuar për atentati ndaj një gjenerali
 
Ndërkohë autoritetet ruse njoftuan se kanë arrestuar tre të dyshuar për tentatim atentati ndaj një gjenerali të inteligjencës ushtarake në një ndërtesë banimi në Moskë. Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, e akuzoi Ukrainën se qëndron pas sulmit, për të cilin tha se kishte për qëllim sabotimin e bisedimeve për paqe. Kievi i ka mohuar pretendimet e tilla ruse. Hetimet për rastin vazhdojnë.
 
“Hetuesit kryen një inspektim të detajuar në vendin e ngjarjes, gjatë të cilit zbuluan armë për vrasjes, pistoletë Makarov dhe tre fishekë municioni. Janë urdhëruar më shumë se 15 ekspertiza forenzike, përfshirë prova gjenetike, fizike dhe kimike, ndërsa po zhvillohen edhe teste të tjera për rrethanat dhe kërkimin e autorëve të krimit”, theksoi zëdhënësja e Komitetit Hetimor të Rusisë, Svetlana Petrenko.
 
Bisedimet  për paqë pritet të vazhdojnë brenda një jave në Majami. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë para verës, kur fillon Kampionati Botëror i Futbollit. 
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU