Maqedoni

Ndikimi i pushtetit tek mediat, ekspertët: I gjithë Ballkani njësoj, ndryshon mënyra

03.06.2015 16:03

Pa liri të mediave nuk mund të flitet për demokraci, por për diktaturë. Kështu vlerësuan pjesëmarrësit e konferencës rajonale me temë “Mediat dhe interesi publik”...

Përfaqësues nga Kroacia dhe Serbia vlerësuan se pozita e mediave në rajon është në nivel të ngjashëm gjithkund, pra nuk bëhet fjalë për specifikë vetëm të një vendi, por dukuri rajonale, ndryshon vetëm mënyra e ndikimit politik. 
 
“Nuk mund të them se presionet politike në Kroaci janë transparente, por do të thoja ndonjëherë janë të sofistikuar, por atë ende mund ta shohim ndonjëherë edhe në servisin publik”- deklaroi Gordana Villoviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Kroaci.          
                                                                                 
“Në Serbi kemi pushtet të koncentruar në shërbim të kryeministrit dhe kjo nuk përbën kurrfarë fshehtësie. Ndikimi i kësaj fuqie të koncentruar shihet në shumë shembuj, që kanë të bëjnë me sjelljen e përfaqësuesve të pushtetit ndaj mediave, që mund të thuhet se është tepruar dhe e patolerueshme, tek etiketimi i gazetarëve, sidomos të mediave që merren me gazetari hulumtuese, si gënjeshtarë apo të paguar nga jashtë, apo thirrja e tyre pas emisioneve autoriale”- theksoi Jelena Vasiç nga Shoqata për Hetimin e Kriminalitetit dhe Korrupsionit-Beograd. 
 
Regjimet autoritare pretendojnë të kontrollojnë mediat, vlerëson Petrit Saraçini nga Instituti Maqedonas i Mediave.                
                                                           
“Në këtë lloj regjimesh shpeshherë bëhet e rëndësishme kontrata, kontrata të cilën e ka pronari me partnerët e tij politik, kontrata të cilën e ka redaktori me pronarin, kontrata të cilën e ka gazetari me redaksinë. Gjëja më e rëndësishme që duhet ta dinë dhe kuptojnë gazetarët është se kontrata më e rëndësishme të cilën mund ta ketë një media, një gazetarë, është kontrata me publikun. Nëse ajo kontratë anashkalohet, humb besimi, humbin rejtingjet, humbet shitja dhe mbeteni i vetëm, para pronarëve dhe para politikanëve, atëherë bie çmimi i gazetarisë dhe gazetarit”- theksoi Petrit Saraçini nga Instituti Maqedonas i Mediave.                                   
 
Në konferencë morën pjesë edhe njohës të punës së mediave nga vendet tjera të rajonit, ndërsa ajo u organizua nga USAID-i dhe Qendra për Zhvillim të Mediave.
 
GYLTENE SINANI