Maqedoni

Marrëveshja për zgjidhjen e krizës, Bakiu: koha për të zgjidhur problemet shqiptare

03.06.2015 16:30

Dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSh, duhet ta shfrytëzojnë krizën politike për të zgjidhur problemet që tangojnë popullin shqiptar me vite...

Kështu shprehet analisti politik, Bashkim Bakiu, sipas të cilit, edhe pse u dhanë sinjalet e para të përfundimit të krizës politike, ajo ende vazhdon dhe tani e ka radhën blloku politik shqiptar, që të shpalos kërkesat që do të ndryshojnë realitetin dhe do të mënjanojnë diskriminimin ndaj shqiptarëve.
 
Miratimi i buxhetit me parimin e Badenterit, zyrtarizimi i gjuhë shqipe në të gjithë Maqedoninë, MPB–ja dhe MF-ja të kontrollohen paralelisht janë vetëm disa nga pikat me të cilat BDI dhe PDSh duhet të kushtëzojnë bllokun politik maqedonas, vlerëson Bakiu. 
 

“1. Ndryshim kushtetues i formës nga shteti-komb maqedonas në shtet multietnik apo qytetar;

2. Çështja e gjuhës të rregullohet njëherë e përgjithmonë;

3. MPB dhe Ministria e Financave të kushtëzohet me dy nënshkrime (shqiptar dhe maqedonas apo rotacion);

4. Buxheti të sillet me shumicë të dyfishtë dhe të realizohen politikat e zhvillimit të barabartë dhe eliminimin e dallimeve zhvillimore midis komunave;

5. Me rotacion njëri nga pozicionet kyçe (kryeministër, kryetar parlamenti ose presidenti të jetë shqiptar);

6. Rishqyrtim i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ngritjen e kompetencave për komunat dhe decentralizim të mirëfilltë sidomos në aspektin e decentralizimit fiskal”- tha analisti, Bashkim Bakiu.

 
Partitë politike shqiptare duhet medoemos të shfrytëzojnë vakuumin kohor deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për të zgjidhur përfundimisht problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët me vite të tëra, thotë Bakiu. 
 
“U dëshmua se nuk duhet të nënçmohet fuqia që kanë partitë politike shqiptare në këtë shtet dhe një herë e përgjithmonë duhet të kushtëzojnë me disa të drejta ose kërkesa që në të ardhmen ne si shqiptarë të kemi një jetë dhe status më të mirë dhe të barabartë me maqedonasit. Partitë shqiptare partive maqedonase duhet tua dorëzojnë kërkesat dhe këtë vakuum kohor deri në vitin 2016, para zgjedhjeve parlamentare këto të implementohen një herë  e përgjithmonë”- theksoi analisti, Bashkim Bakiu.
 
Bakiu është i mendimit se nëse këto çështje nuk zgjidhen, popullit do t’i përsëriten ngjarjet e njëjta.
 
SANIJE KASAMI