Maqedoni
“Qyteti i Sigurt”, brenda një jave regjistroi rreth 5.000 shkelje
09.02.2026 13:00
Gjatë një jave janë regjistruar pothuajse 5.000 shkelje të trafikut përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”...

Gjatë një jave janë regjistruar pothuajse 5.000 shkelje të trafikut përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, nga të cilat shumica janë për tejkalim të shpejtësisë, informojnë sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, në periudhën nga 2 deri më 8 shkurt, në territorin e qyteteve Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në korridoret 8 dhe 10, sistemi “Qyteti i Sigurt” ka regjistruar gjithsej 4.991 shkelje, nga të cilat 641 masa për kundërvajtje të kryera nga shoferë, të cilët drejtonin automjetin me targa të huaja.
“Nga ky numër, 641 janë masa për shkelje të kryera nga drejtues automjetesh me targa të huaja. Nga numri i përgjithshëm i shkeljeve të regjistruara, pjesa më e madhe janë për drejtim automjeti me shpejtësi më të madhe se e lejuara, gjithsej 4.674 shkelje. Për kalim në semafor të kuq janë 163, ndërsa për drejtim automjeti me afat të skaduar të lejes së qarkullimit janë konstatuar 154 shkelje.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjithashtu janë shqiptuar 288 masa ndalimi për drejtimin e automjetit, prej të cilave 163 për kalim në semafor të kuq dhe 125 për tejkalim të shpejtësisë. Brenda devijimit të lejuar të parashikuar të shpejtësisë së lëvizjes, janë toleruar 22.434 automjete. Nga MPB u bëjnë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, me qëllim që të kontribuohet për rrugë më të sigurta dhe më të mbrojtura. Përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” detektohen katër lloje tipike të shkeljeve të trafikut: parkim i parregullt, drejtim me shpejtësi më të madhe se e lejuara, kalim në semafor të kuq dhe drejtim automjeti me afat të skaduar të vlefshmërisë së lejes së qarkullimit.
ARMEND MURSELI
