Rajon

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria ka kërkuar 45 vite burgim

09.02.2026 14:00

Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së....

Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së. Dënimi prej 45 vjet burgim është kërkuar nga kryeprokurorja Kimberli Uest, në seancën gjyqësore ku ka filluar faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
 
“Ne kërkojmë dënimin e personave konkretë, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një dënimi prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të krimeve të kryera prej secilit prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë, e këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre. Me kalimin e kohës vazhdojnë të mbeten shumë të rënda.”, - deklaroi kryeprokurorja në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberli Uest.
 
Sipas Uestit, mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në 50 kampe të ndalimit të UÇK-së dhe rreth tyre. Sipas prokurores Uest, të akuzuarit kanë kryer krime ndaj kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën. Dëshmitë e të gjitha dëshmitarëve, si dhe të gjitha provat tregojnë se të gjitha këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to, tha Uest në fjalën e saj. Ajo ka përmendur disa dëshmitarë që kishin dëshmuar në këtë gjykim. Prokurorja ka përmendur edhe rastin e një dëshmitareje, e cila tha se e ka humbur të birin dhe burrin e saj dhe nuk i ka gjetur trupat e tyre. Ajo tha se ky proces gjyqësor nuk i ka shpëtuar klimës së frikësimit të dëshmitarëve që ka qenë insistuese dhe që ishte parashikuar prej Prokurorisë që nga fillimi.
 
GYLTENE SINANI