Sulme të reja në Ukrainë, Zelenski bën thirrje për mbështetje ajrore

09.02.2026 14:31

Ukraina zgjohet sërish nën sirenat e alarmit...

Ukraina zgjohet sërish nën sirenat e alarmit dhe shpërthimet e raketave. Sulmet ruse vazhdojnë pa ndërprerje, duke lënë pas viktima dhe të plagosur në Odesa dhe Harkiv, ndërsa Kievi mbetet objektiv i raketave balistike.

Energjia elektrike dhe ngrohja janë ende të pasigurta në mes të dimrit, ndërsa infrastruktura hekurudhore goditet pothuajse çdo ditë. Megjithatë, pavarësisht presionit të vazhdueshëm, vendi arrin të mbajë funksionale linjat jetike të logjistikës.

“Rusia sulmoi Odesën me dronë luftarakë, duke shkaktuar zjarre. Dy automjete, një tubacion gazi dhe çatia e një ndërtese banimi 24-katëshe u përfshinë nga flakët. Një palestër dhe gjashtë automjete u dëmtuan. Dritaret e ndërtesave u thyen. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve për reanimim, një burrë 36-vjeçar nuk mundi të shpëtojë.”, - deklaroi Marina Martinenko nga Shërbimi i Emergjencave, Odesa.

Edhe Rusia raporton probleme të furnizimit me ujë dhe energji elektrike pas sulmeve ukrainase. Kryetari i Belgorodit njoftoi për probleme edhe me ngrohjen në mes të dimrit dhe temperaturave të ulëta.

“Përpjekjet heroike të punonjësve tanë të sektorit energjetik dhe të ngrohjes rezultuan me rikthimin e ngrohjes në Belgorod. Jam thellësisht mirënjohës për çdo person që, pavarësisht rrezikut personal, luftoi për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e banorëve tanë.”, - theksoi guvernatori i Belgorodit, Vjaçesllav Gladkov.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski theksoi nevojën urgjente për ndihmë nga partnerët, veçanërisht me raketa për mbrojtje ajrore.

“Mbrojtja nga raketat balistike ruse është e domosdoshme çdo ditë. Asnjë vend në botë nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa ndihmë përballë sulmeve të tilla dhe një lufte të tillë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Mbështetja për Ukrainën, siguria, marrëdhëniet transatlantike dhe mbrojtja evropiane janë gjithashtu në agjendën e Konferencës së 62-të të Sigurisë në Munih këtë javë.

“Mendoj se ShBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën. Fakti që nuk janë ndarë fonde të reja për ta ndihmuar vendin është një sinjal i gabuar për Rusinë. Mund vetëm të supozoj se ShBA-ja beson se zgjidhja e kësaj lufte mund të arrihet më lehtë duke ushtruar pak më shumë presion mbi palën më të dobët. Dhe pala më e dobët në këtë rast është, pa dyshim, Ukraina, e cila është viktimë e agresionit. Do të mendoja se kjo është një qasje moralisht, strategjikisht dhe politikisht e gabuar.”, - deklaroi kryetari i Konferencës së Sigurisë në Munih, Volfgang Ishinger.

Negociatat me ndërmjetësimin e ShBA-së për përfundimin e luftës pritet të vazhdojnë së shpejti. Zelenski pohon se çështja territoriale dhe ajo e centralit bërthamor të Zaporizhjës mbetën të pazgjidhura gjatë bisedimeve në Abu Dhabi. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)