Ekonomi

Rritja e pagës minimale, LSM-ja të martën do t’i bllokojë deputetët

09.02.2026 14:41

LSM-ja nuk heq dorë nga rritja e pagës minimale....

LSM-ja nuk heq dorë nga rritja e pagës minimale. Për këtë arsye, LSM-ja nesër sërish del në rrugë për të protestuar, duke bllokuar dy bulevarde përreth Kuvendit të RMV-së. Ky vendim është marrë nga kryesia e Këshillit të LSM-së si kundërpërgjigje ndaj qasjes së papërshtatshme të ekzekutivit për rritjen e pagës minimale. Përmes bllokimit të Kuvendit, ata synojnë t’u dërgojnë një mesazh deputetëve se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe nga rritja lineare e të gjitha pagave të tjera për së paku 6.000 denarë.
 
“Sipas ligjit, në dy rrugët apo lokacionet ku parashikojmë protesta, nevojiten së paku 21 persona për t’i bllokuar deputetët. Ata nuk kanë arsye të shqetësohen, sa i përket numrit të sindikalistëve që do të dalin në rrugë. Këtë e themi duke marrë parasysh se bllokada apo protesta jonë duhet t’u përcjellë deputetëve mesazhin se ata po e bllokojnë ligjin për pagën minimale për më shumë se një vit, ndërkohë që, gjatë së njëjtës periudhë kohore, çdo familje është bërë më e varfër për 9.500 denarë. Kjo për shkak se vlera e shportës minimale është rritur për po aq gjatë kësaj periudhe. Deputetët vazhdojnë ende të bëhen të verbër dhe të shurdhër ndaj iniciativës së LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe të pagave të tjera.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
LSM: Marrëveshja me Qeverinë, betejë e fituar
 
Përveç kësaj, LSM-ja shpreh pakënaqësi edhe ndaj sjelljes së përfaqësuesve të ekzekutivit lidhur me iniciativën e saj të fundit për uljen e pagave të funksionarëve për 80 për qind. Kjo iniciativë parasheh uljen e bazës për përllogaritjen e pagave, përkatësisht që ato në vend se të llogariten në bazë të pagës mesatare, të përllogariten në bazë të pagës minimale. Trendafilovi thekson se kjo iniciativë është kushtetuese dhe ligjore. Sa i përket marrëveshjes së arritur për rritjen e pagave për rreth 11 mijë administratorë, Trendafilovi tha se kjo është një betejë e fituar falë “luftës” dhe angazhimit të madh të sindikatave dhe jo një dhuratë nga Qeveria.
 
“Lufta sindikale është maratonë dhe jo sprint. Ajo për të cilën Qeveria u lavdërua dje, dhe që Sindikata e Punonjësve të Administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare arriti t’ia marrë Qeverisë, është vetëm një nga betejat që kemi arritur ta fitojmë. Sigurisht se fitorja më e madhe do të jetë atëherë kur do të përcaktohet rritja e pagës minimale në 600 euro dhe rritja lineare e të gjitha pagave të tjera për 6.000 denarë.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
Ditë më herët, përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Sindikatës së Punonjësve të Administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare, pas një periudhe bisedimesh, arritën marrëveshje, me të cilën garantohet rritja e pagave për rreth 11 mijë punonjës të administratës publike. Sipas marrëveshjes, deri në vitin 2028 rritja e pagave të tyre do të arrijë 40 për qind. LSM-ja, për të enjten, po ashtu do të protestojë para Odës Ekonomike të Maqedonisë, ndërsa të martën e ardhshme planifikon të bllokojë rrugët përreth Qeverisë.
 
REXHEP QAMILI