Ekonomi

Sindikalistët të martën do ta bllokojnë Kuvendin, Gashi: Problemi nuk zgjidhet me rritje të pagave

09.02.2026 15:15

Problemi i punëtorëve nuk zgjidhet vetëm me rritje të pagave, u përgjigjet Gashi sindikalistëve..

Problemi i punëtorëve nuk zgjidhet vetëm me rritje të pagave, u përgjigjet kryeparlamentari Afrim Gashi sindikalistëve, të cilët nesër planifikojnë ta bllokojnë Kuvendin, pasi shtëpia ligjvënëse tanimë disa ditë nuk ka përfillur nismën sindikaliste për ndryshim të ligjit për pagën minimale. Gashi në takimin me gazetarë, thotë se rritja e pagave duhet bërë në përputhje me parametrat ekonomike dhe se nevojitet nivelizim në nivel shtetëror.
 
“Ky është prioritet, por nuk mund të zgjidhet vetëm me rritjen e pagave. Të varej nga unë, menjëherë do të rritja pagat. Kjo është një çështje komplekse. Duhet të merret parasysh e gjithë fotografia ekonomike. Mendoj se do të duhet të bëhet nivelizim i pagave sipas prioriteteve, duke përcaktuar se cilat funksione janë më të rëndësishme në shtet, duke nisur nga presidenti, kryetari i Parlamentit, deputetëve, drejtorëve. Mendoj se në këtë mënyrë do të ishte më e drejtë zgjidhja e problemit.”, theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
 
LSM: Deputetët të votojnë rritjen e pagës
 
Protesta sindikaliste do të nisë në orën 09:00 të mëngjesit, por Kuvendi do të vijojë punimet me seancën e radhës, duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtën e protestës në syrin e policisë. Gashi thotë se deputetët do të duhet të gjejnë mënyrën dhe kohën kur do të vijnë në Kuvend. Nga LSM-ja njoftojnë se do të bllokohen rrugët kryesore rreth e qark Kuvendit, duke mos kursyer edhe kritikat ndaj deputetëve.
 
“Punëtorët ua kanë dhënë luksin deputetëve të gëzojnë rroga të rritura për 79%, e të cilat do të rriten edhe për 21.8%. I rikujtomë se jo vetëm që urgjentisht do të duhet të votojnë rritjen minimale, por të votojnë edhe uljen e pagave të funksionarëve, në të kundërtën me 10 mijë nënshkrime do ta bëjmë këtë.”, thuhet në kumtesën e LSM-së.


MERAL ISMAILI