Skandali me kanabisin mjekësor, Prokuroria shkëmben informacione me autoritetet serbe

09.02.2026 15:43

Nuk kanë pushuar reagimet në lidhje me aksionet...

Nuk kanë pushuar reagimet në lidhje me aksionet e fundit të policisë, ku janë sekuestruar një sasi e madhe e marihuanës, gjegjësisht rreth 40 tonë. Prokuroria Publike ka njoftuar se po ndërmerr vazhdimisht aktivitete në bashkëpunim me MPB-në dhe Komisionin për Miratimin e Kultivimit të Kanabisit për Qëllime Mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Me qëllim të përcaktimit të plotë të fakteve dhe rrethanave, prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është në komunikim me Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Serbisë, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve me rëndësi për procedurën që do të ndihmojnë në përcaktimin e një lidhjeje të mundshme midis dy rasteve dhe origjinës së marihuanës. Njëkohësisht, prokurori publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë po ndërmerr veprime të tjera në përputhje me kompetencat e tij ligjore, përfshirë edhe marrjen në pyetje të personave si dëshmitarë, me qëllim mbledhjen e provave dhe fakteve relevante për procedurën.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike.

VMRO-DPMNE godet Zaevin dhe Filipçen

Nga VMRO-DPMNE, edhe njëherë kanë akuzuar ish-kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, dhe liderin e tanishëm të LSDM-së, Venko Filipçe, se janë ngushtë të lidhura me këtë fushëveprim.

“Dhe në rastin e rreth 40 tonëve marihuanë të sekuestruar, Zoran Zaev dhe sigurisht miku i tij, Venko Filipçe, janë të përfshirë. Vetë Zaevi e konfirmoi përfshirjen e tij, ai doli për të mbrojtur veten, në vend që t'u kërkonte falje qytetarëve për të gjitha krimet që ka kryer. Është gjithashtu një fakt se rreth 70 për qind e drogës së sekuestruar këto ditë është në pronësi të një kompanie në pronësi të njerëzve të Zaevit. Po flasim për një kompani në pronësi të një personi që ishte kryetar i bordit komunal të LSD-së në Novo Sellë. Ky është Toni Kotevi i njohur si M'gçev, i cili nga ana tjetër drejton bizneset me Vice Zaevin.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Ku ishte shteti?

Por, me reagim dolën edhe nga LSDM-ja opozitare, sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, LSDM-ja ka paralajmëruar prej ditësh për ngjarjet e fundit që lidhen me sekuestrimin më të madh të kanabisit në rajon.

“Ky është një skandal me përmasa të mëdha që zbulon kriminalitetin e thellë të qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO dhe Hristijan Mickoski. Sipas informacioneve jozyrtare nga mediat në Serbi, zyrat e prokurorive në Serbi dhe Maqedoni kanë marrë të dhëna kyçe nga Agjencia Amerikane e Zbatimit të Ligjit për Drogën (DEA). Kryeministri Mickoski nuk ka pasur një përgjigje për pyetjen kyçe për një javë: si arritën 5 tonë marihuanë të kalonin kufirin, të dilnin nga Maqedonia dhe të hynin në Serbi? Kjo heshtje nuk është e rastësishme, por një tregues se ka të vërteta në pretendime, sepse faktet tregojnë se pa mbështetjen e strukturave në Qeveri, Ministrinë e Brendshme, Doganat dhe institucione të tjera, një operacion kaq i madh kontrabande do të kishte qenë i pamundur.”, - deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrijeviq nga LSDM.

Edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja, u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë, që të zbardhen të gjithat faktet dhe dëshmitë dhe se të gjithë autorët do të japin përgjegjësi. (Fitim Kryeziu, TVM2)