Hap shumë i rëndësishëm në karrierë, Amra Isejni me origjinë nga Gostivari transferohet te Bazeli

09.02.2026 15:47

Zvicra nuk nxjerrë në pah vetëm futbollistë meshkuj të suksesshëm...

Zvicra nuk nxjerrë në pah vetëm futbollistë meshkuj të suksesshëm, por nxjerrë gjithashtu edhe futbolliste të suksesshme femra. Rasti më i ri ka të bëjë me futbollisten shqiptare, Amra Isejni me origjinë nga Gostivari, e lindur dhe e rritur në Winterthur, që së fundmi ka bërë një transferim te skuadra e Bazelit.

Isejni me futboll ka filluar të merret që nga mosha 7-vjeçare, duke u stërvitur me ekipin e FC Wiesendangen, ndërsa që nga viti 2019-ta, e njëjta ishte pjesë e FC Zürich, te e cila skuadër kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Pikërisht paraqitjet e saj të mira me fanellën e FC Zürich kishin zgjuar interesimin e drejtuesve të FC Basel, te e cila skuadër u transferua me ndërmjetësimin e menaxherit shqiptarë, Kendim Mehmeti, pjesë e Agjencisë, “KM Eleven Sportsmanagement” në Zvicër.

Nën shoqërimin e menaxherit Mehmeti, futbollistja shqiptare Amra Isejni vendosi të zezën mbi të bardhë, duke firmosur kontratë për dy vite e gjysmë me FC Baselin.

Isejni, e lindur në vitin 2008, luan si sulmuese krahu, ndërsa e njëjta pritet të sjellë shumë freski në sulmin e FC Baselit, skuadër kjo që aktualisht renditet në pozitën e 5-të në Superligën e femrave të Zvicrës.

Isejni, me fanellën e FC Basel, pritet të debutojë me 14 shkurt, pikërisht ndaj ish skuadrës së saj tashmë, FC Zürich. Vlen të theksohet se Amra Isejni, gjithashtu është edhe pjesë e Kombëtares U19 të Shqipërisë, që tregon qartë për cilësitë e kësaj futbolliste, para së cilës është një e ardhme e ndritur.