Botë
Vizita e Herzogut në Sidnej ngjall protesta të mëdha në tërë Australinë
09.02.2026 16:16
Pas masakrës tragjike në plazhin Bondi të Sidneit presidenti i Izraelit, Isak Herzog, vizitoi Melburnin....

Pas masakrës tragjike në plazhin Bondi të Sidneit, ku u vranë 15 civilë gjatë një feste të Hanukës, presidenti i Izraelit, Isak Herzog, vizitoi Melburnin. Por, prania e tij shkaktoi revolta dhe protesta në disa qytete australiane, për shkak të gjenocidit në Gazë, që shumica e lidhin me tragjedinë në Australi. Komuniteti hebre, i indinjuar dhe i tronditur nga sulmi në Bondi, shprehu ndjenja të përziera: disa e mirëpritën vizitën si një shenjë ngushëllimi, të tjerë e kritikojnë ashpër dhe nuk pajtohen me praninë e tij. Protestat u organizuan nga Grupi i Veprimit për Palestinën dhe tërhoqën mijëra pjesëmarrës. Megjithatë Herzog vlerëson se sulmet ndaj hebrenjve nuk vijnë nga veprimet politike, por janë rezultat i antisemitizmit.
"Definicioni i Antisemitizmit i Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, i cili është miratuar në mbarë botën, deklaron qartë se sulmet dhe nënvlerësimi i tërë konceptit të shtetit kombëtar të popullit hebre dhe e drejta e tij për vetëvendosje, si dhe e drejta për të mbrojtur veten, është antisemitizëm. Mendoj se kjo duhet të shpërndahet; mund të diskutojmë mbi politika, ne diskutojmë mbi politika. Por, është një lojë krejtësisht tjetër kur sulme të vazhdueshme, kritika dhe dhimbje ndaj hebrenjve ose qytetarëve të çdo vendi, përfshirë këtë vend, dhe ne e shohim veten si mbrojtës të hebrenjve në mbarë botën, sulmohen dhe ngacmohen në vende të tjera dhe në Australi, që është një demokraci model, kjo nuk duhet të ndodhë.”, - deklaroi presidenti i Izraelit, Isak Herzog.
Presidenti i Izraelit, Isak Herzog, nderoi viktimat e sulmit në plazhin Bondi, së bashku me një pjesë të komunitetit hebre në Bondi. Ai arriti në Sidnej pas ftesës së qeverisë federale në Canberra. Qeveria e Nju South Vales kishte vendosur masa të rrepta sigurie. Gjatë vizitës katërditore, Herzog do të takohet me kryeministrin australian Entony Albanese dhe do të vizitojë disa qytete të Australisë, megjithëse tensionet shoqëruan çdo hap të tij.
FARIJE DAUTI BAKIU
