Maqedoni

LSM-ja protestoi para Kuvendit, Trendafilov: Deputetët të votojnë propozim-ligjin

10.02.2026 13:45

LSM për dy orë bllokoi dy bulevardet kryesore përreth Kuvendit...

“Mirëmëngjesi të gjithëve, përveç deputetëve!”. Me këto fjalë iu drejtua deputetëve para Kuvendit kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, i cili udhëhoqi protestën sindikale si reagim ndaj bllokimit të propozim-ligjit për rritjen urgjente të pagës minimale në 600 euro, si dhe për rritje lineare të të gjitha pagave të tjera për së paku 100 euro. Ashtu siç ishte paralajmëruar, LSM për rreth dy orë bllokoi dy bulevardet kryesore përreth Kuvendit, duke ua pamundësuar deputetëve që në vendin e punës të arrijnë me automjetet e tyre. Me këtë veprim, tha Trendafillovi, u dërgohet mesazh i qartë të zgjedhurve të popullit se është koha që pa vonesa të votohet propozim-ligji, përmes të cilit parashihet rritja e pagave në vend.
 
“Deputetët dëshirojnë që punëtorët dhe votuesit e tyre të zhyten dhe të jetojnë në varfëri. Kjo është e turpshme. Prandaj, sot jemi këtu në orën 09:00 për t’i bllokuar dhe për t’u treguar se po sillen në mënyrë çnjerëzore ndaj punëtorëve, sepse dëgjuam se deputetët po i mbrojnë pagat dhe shpenzimet e tyre rrugore, e jo pagat e punëtorëve. Një të drejtë që ua kemi siguruar ne punëtorëve, nga ana tjetër nuk ua mundësojnë punëtorëve një rritje të tillë. Pikërisht për këtë arsye, destinacioni i parë ishte këtu dhe bllokada zgjati deri në fillimin e seancës së parashikuar në Kuvend, e caktuar në orën 11:00. Mendoj se dita e sotme duhet t’i turpërojë të gjithë, e veçanërisht 120 të zgjedhurit e popullit. Prandaj vlerësoj dhe shpresoj që sot, në seancën që duhet të mbahet, urgjentisht të propozohet rritja e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritje e të gjitha pagave të tjera për së paku 6 mijë denarë.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
 
Qytetarët që kishin dalë në protesta shpresojnë se do ta fitojnë “betejën” sindikale dhe se do të arrijnë që paga minimale të rritet në përputhje me kërkesat e LSM-së.
 
“Jam sindikaliste prej rreth 35 vitesh, punoj në arsim dhe me përkushtim ndaj punës që bëj. Mirëpo tani, kur po i afrohem fundit të stazhit tim profesional, po pendohem dhe po turpërohem që jam pjesë e arsimit, sepse të gjithë këta që po i shihni sot në Kuvend nuk kanë ardhur drejtpërdrejt nga spitali ku kanë lindur për t’u ulur në Kuvend. Ata është dashur të kalojnë përmes procesit arsimor. Prandaj është shumë e turpshme të degradohet profesioni ynë, i cili përfaqëson të ardhmen e këtij vendi. Nëse dëshironi ta shkatërroni një shtet, nuk ju nevojitet asnjë plumb, mjafton ta shkatërroni arsimin.”, - tha një qytetare. 
 
“Tani për tani, pushteti nuk ka veshë për ta dëgjuar zërin e popullit, mirëpo ne do të jemi këmbëngulës dhe do të shkojmë deri në fund.”, - tha një qytetare tjetër.
 
“Mendoj se duhet t’i dëgjojnë kërkesat tona. Është koha e fundit, por nëse do të ketë rritje, mbetet për t’u parë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Protestat e LSM-së në rrugë do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Sipas paralajmërimeve, LSM-ja të enjten pritet të protestojë para Odës Ekonomike në qendër të qytetit, ndërsa të martën e ardhshme, kur mbahen seancat e rregullta të Qeverisë, do të bllokojë rrugët përreth ndërtesës së Qeverisë.
 
REXHEP QAMILI