Rajon
Prokuroria në Hagë përfundoi fjalën e saj, kërkoi 180 vite burg për ish-pjesëtarët e UÇK-së
10.02.2026 14:14
Prokuroria e Hagës e ka përfunduar fjalën e saj në Gjykatën Speciale....

Prokuroria e Hagës e ka përfunduar fjalën e saj në Gjykatën Speciale. Kryeprokurorja Kimberli Uest, pasi ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin apo 180 vite për katër krerët e UÇK-së, ka theksuar se në këtë proces brenda 227 ditëve të gjykimit kanë qenë mbi 130 dëshmitarë, mbi 5 mijë prova janë pranuar, ndërsa janë 28 mijë faqe transkripte. Ndërsa prokurori Mat Halling, tha se ajo që nuk kuptonin e ndërkombëtarët, të cilët ishin dëshmitarë të mbrojtjes, duke përfshirë edhe Xhejms Rubin dhe Ueslej Klark, ishte që Hashim Thaçi kishte aftësi të maskonte atë që po ndodhte në realitet. Sipas tij, kjo ndikoi në botëkuptimin e ndërkombëtarëve për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja.
“Ajo që nuk kupton Xhejms Rubin, Ueslej Klark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Klark nuk kishin kurrfarë interesi që të kuptonin se çfarë po ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre..., ishin në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë se çfarë po dëgjon ky trup gjykues për të cilin do të marrin vendimet përkatëse. Vendimet e tyre të fajit nuk ishin as në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv.”, - deklaroi prokurori i ZPS-së, Mat Halling.
Sa i përket Kadri Veselit, prokurori Mat Halling ka thënë se ai është i përfshirë në ndalimin e një personi, për të cilin tha se u transferua personalisht nga Veseli në Kleçkë.
“Ne mund të shohim përfshirjen e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë edhe sa i takon ndalimit të Milan Mitroviqit. Në dosjen tonë diskutohet se si Veseli personalisht ka transferuar këtë person të keqtrajtuar në Kleçkë.”, - theksoi prokurori i ZPS-së, Mat Halling.
Prokurori shtoi se një dëshmitar që është mbajtur në Kleçkë së bashku me Mitroviqin, ka thënë se janë rrahur keq. Prokurori Halling, duke folur për Rexhep Selimin, tha se ai ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve. Madje, kushëririn e tij, Sylejman Selimin, e emëroi për të kryer krime me njerëzit e tij në Likoc.
“Selimi kishte aftësinë dhe informacionin për të trajtuar sjelljen e vartësve të tij dhe ai ndërmori hapa për të hequr dikë si komandant Drini dhe jo dikë si Sylejman Selimi, i cili ishte emëruar nga Rexhep Selimi dhe Shtabi i Përgjithshëm vetëm për të kryer krime me njerëzit e tij në Likoc.”, - u shpreh prokurori i ZPS-së, Mat Halling.
Po ashtu, sipas Prokurorisë në Hagë, edhe i akuzuari Jakup Krasniqi ka pasur rol të fortë kolektiv si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, prandaj kërkoi të shpallet fajtor. Por, pretendimet e Prokurorisë në Hagë shkaktuan reagime në Kosovë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin e tij ka theksuar se kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, është e shkëputur nga realiteti historik dhe politik i luftës në Kosovë. Kurti ka deklaruar se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të UÇK-së lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj thekson se çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, thekson presidentja. Ngjashëm janë shprehur edhe partitë politike dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
GYLTENE SINANI
