Presidentja Osmani Sadriu: Seanca konstituive e Kuvendit më 11 shkurt

10.02.2026 14:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për 11 shkurt në orën 12:00. Nga Presidenca kanë njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Seanca konstituive, Kurti: Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pret që në seancën konstituive të shkojë gjithçka mbarë e mirë.

“Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka.”, - theksoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Caktimi i seancës konstituive u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind të votave apo 57 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës - 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës - 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - 6 deputetë. Dhjetë deputetë i takojnë komunitetit serb, 9 prej të cilëve i ka fituar Lista Serbe dhe 10 ulëse të tjera në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për komunitetet tjera. (Gyltene Sinani, TVM2)