Maqedoni

LSDM-ja mbështet LSM-në për pagat, Filipçe: Punëtorët meritojnë jetë dinjitoze

10.02.2026 14:51

Opozita maqedonase i mbështet plotësisht kërkesat e LSM-së ....

Kërkesat e LSM-së për rritje të pagës minimale në 600 euro i mbështet plotësisht opozita maqedonase. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerëson se punëtorët meritojnë një jetë dinjitoze, veçanërisht kur shporta sindikale tejkalon 65.000 denarë. Ai përmendi si burime të mundshme për pagat e rritura kategoritë buxhetore për udhëtime dhe përfaqësim, si dhe mundësinë që shteti të subvencionojë kontributet në sektorin privat pa dëmtuar likuiditetin e kompanive. 
 
“Ne konsiderojmë se një pagë minimale prej 600 eurosh është diçka që punëtorët e meritojnë dhe u është e domosdoshme për një jetë dinjitoze, në një periudhë kohore kur shporta sindikale e tejkalon 65/66.000 denarë, kur një e treta e shpenzimeve shkon për ushqim dhe pije, përveç kësaj ka edhe shpenzime të tjera dhe shpenzime shkollore.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mickoski: Protestat e LSM-së janë të motivuara politikisht
 
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski e konsideron historike marrëveshjen me sindikatat e administratës dhe sektorit publik, e cila do të rrisë pagat për 40% dhe përmbyll marrëveshjen e Qeverisë, si punëdhënës më i madh. Bllokadën e Kuvendit nga Lidhja e Sindikatave ai e vlerëson si të motivuar politikisht.
 
“Kjo do të vazhdojë, sepse kjo ka një prapavijë politike. Një nga protestuesit e sotëm mbante me mua konferencë për shtyp, në një gjendje dukshëm të ekzaltuar, i kënaqur me atë që arritëm. Sot e shihni, bllokon. Ne i kemi përmbushur obligimet tona. Në dialogun bipartit midis dhomave, përkatësisht punëdhënësve dhe punëtorëve, ne jemi lehtësues dhe kemi thënë se do të mbështesim çdo zgjidhje që ata praktikisht do ta dakordësojnë. Por, ne nuk do dhe nuk duam të mbështesim udhëheqës të vetëshpallur të instruktuar politikisht. Nuk duam të hyjmë në një proces të tillë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
LSM-ja nuk e përjashton mundësinë e një greve të përgjithshme, ndërsa kërkesat për rritjen e pagës minimale dhe pagave të tjera i bazon në rritjen e kostos së jetesës dhe shportës sindikale të konsumit.
 
ARMEND MURSELI