Maqedoni

Kuvend, dështoi përpjekja për shqyrtimin e pagës minimale

10.02.2026 15:05

Përpjekja e LSDM-së për të diskutuar rritjen e pagës minimale në seancë plenare dështoi....

Përpjekja e LSDM-së për të diskutuar rritjen e pagës minimale në seancë plenare dështoi. U refuzua nisma e tyre e bazuar në kërkesat e sindikalistëve që në rend dite të vendoset propozimi për ndryshime në ligjin për pagën minimale, që e njëjta të rritet në 600 euro. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Spasovski, konsideron se atyre u shkurtohet e drejta e veprimit parlamentar, andaj braktisën seancën.
 
“Do të duhet që tani ju, si kryeparlamentar, Afrim Gashi, t’u jepni sqarime qytetarëve, të cilët janë pjesë e bllokimit para Kuvendit, përse nuk e bëni këtë?! Nuk mund që gjithmonë, kur keni përgjegjësi, të tërhiqeni anash. Konsideroj se po veproni në kundërshtim me rregulloren.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u arsyetua se ende nuk e kanë marrë materialin për ta vënë për diskutim.
 
“Materiali është në përkthim. Në momentin kur do t’i dorëzohet të gjithë deputetëve, do të mund të diskutojmë për të njëjtin.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Seanca përfundoi vetëm me shqyrtimin e dy pikëve nga gjithsej katër, në mungesë të kushteve. Ndërkaq, paraprakisht u konstatua edhe dorëheqja e Lulzim Aliut nga detyra e zëvendësministrit të Arsimit.
 
MERAL ISMAILI