Maqedoni
Provimi i jurisprudencës, Mickoski: Provimi së shpejti në gjuhën shqipe
10.02.2026 15:15
Mickoski deklaroi se do të përgatisë ligj me të cilin provimi i jurisprudencës do të bëhet edhe në gjuhën shqipe....

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do të përgatisë ligj me të cilin provimi i jurisprudencës do të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Ai tha se ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet, ndërsa shtoi se pas përgatitjes së ligjit, i njëjti do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias dhe më pas të implementohet. Në një pyetje të gazetarëve lidhur me mënyrën se si do të tejkalohen mospajtimet, duke pasur parasysh se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov është kundër kësaj kërkese të paraqitur nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, kryeministri tha se Kushtetuta është e qartë.
“Kushtetuta është e qartë dhe precize dhe thotë se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase, por gjithashtu gjuhë zyrtare është edhe shqipja, përkatësisht gjuha e bashkësisë që është mbi 20 për qind. Ky është amendamenti 5, i cili zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës, dhe aty qëndron shumë qartë se komunikimi në institucionet e administratës shtetërore mund të zhvillohet edhe në gjuhën e bashkësisë që është mbi 20 për qind, pasi kjo të përcaktohet me ligj. Ne duhet që këtë proces të dhënies së provimit fillimisht ta përcaktojmë me ligj. Ligji, ashtu siç është tani, nuk lejon një lloj të tillë të dhënies së provimit. Unë jam i gatshëm që kjo të rregullohet me ligj, jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për gjuhët e të gjitha bashkësive të popujve të përmendur në preambulë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickosi tha se të martën do t’i ftojë për bisedë ata që e nxorën këtë temë në publik, për të biseduar për të gjitha faktet, që të arrihet në zgjidhje. Ai tha se qëllimi i kësaj Qeverie është të zhvillohet Maqedonia dhe qytetarët të jetojnë më mirë, të ecim përpara dhe një ditë të hyjmë në BE. Tema nga para 30-40 vitesh nuk na duhen. Prandaj, them se kjo është politikanizëm dhe nuk ka lidhje as me Kushtetutë, as me ligjet, tha Mickoski.
Ndërkohë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur në takim një grup të studentëve të juridikut, të cilët përmes një peticioni kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Kasami thotë se ka siguruar studentët që provimi në fjalë do të mbahet edhe në gjuhën shqipe dhe se kjo çështje do të marrë edhe zgjidhje adekuate ligjore.
FLORIJE KAMBERI
