Deputetët përballë protestave të LSM-së për pagën minimale

10.02.2026 15:28

Protestat e organizuara nga ana e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë...

Protestat e organizuara nga ana e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë para Kuvendit, për rritjen e pagës minimale, ka bërë që shumë deputetë në vendin e tyre të punës të arrijnë ose më herët se ora 09:00, për kur ishte paralajmëruar protesta, ose të gjejnë rrugë alternative dhe në vendin e tyre të punës të vijnë në këmbë dhe veturat e tyre t’i parkojnë më larg Kuvendit.

“Si zakonisht, fillimisht i dërgojmë fëmijët në shkollë, pastaj unë me automobilin privat erdha në punë, ndërsa shoqëri më ka bërë deputeti Lupço Prengjov dhe kështu bashkërisht kemi ardhur.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

“Po, ne vijmë nga jashtë. Vijmë nga Struga.”, - theksoi deputeti, Bekim Qoku.

“Po, sot kemi ardhur në këmbë, por unë shpesh vij në këmbë.”, - u shpreh deputeti, Oliver Spasovski.

“Shpesh e praktikoj të vij në këmbë, por sot erdha me autobus, kështu që nuk është hera e parë kjo për mua.”, - deklaroi deputetja, Ivanka Vasilevska.

“Po, sot kemi ecur pak në këmbë, nuk e kemi bërë përllogaritjen sa kemi ecur, por diku afërsisht dy kilometra.”, - theksoi deputetja, Jovanka Trençevska.

Por, deputetët janë shprehur se është e drejtë demokratike që çdokush të mund të shprehë pakënaqësinë e tyre edhe përmes protestës, ndërsa deputetët e opozitës, por edhe deputetët e VLEN-it janë shprehur se i përkrahin protestat e Lidhjes së Sindikatave për rritjen e pagës minimale.

“Sigurisht se i përkrahim, në një shoqëri demokratike protestat duhet të jenë një gjë normale.”, - u shpreh deputeti, Bekim Qoku.

“Gjithsesi se LSDM-ja dhe unë si deputet, u japim mbështetje protestave LSM-së për rritjen e pagës minimale, prandaj edhe kemi propozuar propozim-ligj, ku kërkojmë rritjen e pagës minimale.”, - theksoi deputeti, Oliver Spasovski.

“Legjitime janë kërkesat e LSM-së. Ata kanë të drejtë të kërkojnë, ndërsa pala tjetër të vlerësojë. Qytetarët kanë të drejtë të vlerësojnë se a është dukë bërë kjo Qeveri mjaftueshëm që të plotësohen atë të cilën e ka premtuar.”, - u shpreh deputetja, Ivanka Vasilevska.

“I përkrahim kërkesat e punëtorëve dhe të sindikatës, prandaj edhe kemi dorëzuar propozim-ligj në Kuvend.”, - deklaroi deputetja, Jovanka Trençevska.

LSM-ja vendosi që fillimisht të bllokohet Kuvendi, sepse pikërisht janë deputetët, të cilët ka një vit që ligjin për rritjen e pagës minimale e mbajnë në sirtarët e tyre. (Fitim Kryeziu, TVM2)