Rajon

Përfaqësuesit e politikës shqiptare, protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

10.02.2026 15:44

Përfaqësues të politikës shqiptare pritet të jenë pjesë e protestës në mbështetje të liderëve të UÇK-së....

Përfaqësues të politikës shqiptare pritet të jenë pjesë e protestës në mbështetje të liderëve të UÇK-së, që organizohet në Prishtinë më 17 shkurt, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
 
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri thirrje për të mos munguar në këtë tubim, veçanërisht pas akuzës së turpshme, sipas tij, një ditë më parë në Hagë ndaj 4 udhëheqësve të UÇK-së.
 
“Mos mungoni më 17 Shkurt në Prishtinë! Të gjithë duhet të jemi aty!”, shkroi Balla në rrjetet sociale, teksa shpërndau një video me deklaratat e 4 udhëheqësve që po përballen me gjyqin në Hagë. Ai shtoi se e njëjta prokurori, për ironi, ka kërkuar vite më parë dënime shumë më të ulëta për xhelatët pushtues.
 
Reagim pati edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa ndau një pjesë të deklaratës së një prokurori të Hagës, shkroi shkurt: “Çfarë idioti ndërkombëtar!”
 
Së fundmi, kundër këtij vendimi reagoi edhe kreu i opozitës, Sali Berisha, si dhe zyrtarë të tjerë në Tiranë.
 
LULJETA NDOKA