Lufta në Ukrainë vazhdon, Zelenski kërkon garanci sigurie

10.02.2026 15:44

Në prag të takimeve ndërkombëtare...

Në prag të takimeve ndërkombëtare për sigurinë në Evropë dhe me Shtetet e Bashkuara, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski theksoi nevojën për garanci të besueshme sigurie për një paqe të qëndrueshme dhe bëri thirrje për mbështetje të përbashkët në forcimin e mbrojtjes dhe përfundimin e luftës.

Forcat ruse po avancojnë drejt pjesës veriore të Pokrovskut, ndërsa sulmet ajrore vazhdojnë në mbarë Ukrainën. Në rajonin e Sumit, nga sulmet ndaj zonave të banuara u plagosën dy fëmijë.

“Një dron FPV po fluturonte dhe ra mbi çatinë e shtëpisë, në banjë. Në atë moment, vajza ime ndodhej aty. Çatia tani është e shpuar dhe dëmet nga rinovimi janë të mëdha. Gjendja e fëmijëve të mi është e keqe. Vajza ime po i nënshtrohet operacionit, ndërsa djali im nuk flet për shkak të stresit.”, - tha babai i fëmijëve të plagosur, Dmitro.

Në këto rrethana lufte, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ritheksoi se paqja nuk mund të arrihet pa garanci të forta sigurie.

“Është thelbësore që partnerët të jenë të bashkërenduar: nevojitet paqe dhe garancitë e sigurisë janë e vetmja bazë reale për paqen, për të siguruar që Rusia të mos i shkelë marrëveshjet. Dokumentet për garancitë e sigurisë janë përgatitur. Nuk ka alternativë ndaj sigurisë. Nuk ka alternativë ndaj paqes.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Nga ana tjetër, Kremlini thotë se marrëveshjet ruso-amerikane të arritura në Alaskë mund të sjellin një përparim në konflikt, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, pohon se Uashingtoni nuk do të mbështesë dislokimin e trupave ndërhyrëse evropiane në Ukrainë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)