Botë
Gazë, vriten civilë, Netanjahu flet për paqe, shkel armëpushimin, negocion në Uashington
10.02.2026 16:12
Avionë luftarakë izraelitë shënjestruan një apartament banimi në lagjen Sheikh Raduan...

Avionë luftarakë izraelitë shënjestruan një apartament banimi në lagjen Sheikh Raduan, në veriperëndim të qytetit të Gazës, duke vrarë dhjetëra civilë dhe duke plagosur disa të tjerë, të cilët u transferuan në Kompleksin Mjekësor “Al-Shifa”. Apartamenti u shkatërrua plotësisht dhe shumë njerëz janë të ngujuar nën rrënoja. Sulmi vjen si pjesë e asaj që përshkruhet si një politikë e vazhdueshme izraelite e shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit, si në fazën e parë ashtu edhe në fazën e dytë.
“Ishim ulur të sigurt brenda tendës sonë kur papritur dëgjuam një shpërthim të madh që na tronditi zemrat. Imagjinoni çfarë ka ndodhur me ata që ishin brenda apartamentit. Djali im vrapoi duke thënë se kishte ndodhur një shpërthim i madh dhe, kur mbërriti, pa kushëririn e tij të mbuluar në gjak. Kjo luftë na ka marrë më të mirët e rinisë sonë dhe fëmijët tanë. Kjo luftë na ka rraskapitur. Kemi humbur shumë, më shumë se pesëmbëdhjetë nga të afërmit e mi. Mjaft me zhvendosjen, mjaft me pastrehimin, mjaft me paqëndrueshmërinë.” – tha e afërmja e njërit prej viktimave, Amina Al-Zanin.
Gjatë fazës së parë dhe të dytë të armëpushimit, Izraeli ka shkelur marrëveshjen më shumë se 1.500 herë në Rripin e Gazës. Por, me gjithë këto shkelje, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk ngurron të flasë për paqe dhe negociata. Pak para se të hipte në aeroplan për në Uashington, ku do të takohet me Donald Tramp, Netanjahu u tha se do të diskutohen “një numër çështjesh”, përfshirë situatën në Gazë.
“Gjatë këtij udhëtimi do të diskutojmë një sërë temash, Gazën dhe rajonin në përgjithësi, por, sigurisht, para së gjithash do të diskutojmë negociatat. Do t’i paraqes Presidentit perceptimet tona lidhur me parimet e negociatave. Parime të rëndësishme. Sipas mendimit tim, këto parime të rëndësishme nuk vlejnë vetëm për Izraelin, por për këdo në botë që kërkon paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Lufta dyvjeçare në Gazë ka marrë jetën e mbi 70 mijë civilëve. Pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon zgjerimin e kolonizimit në zonat e Gazës, duke ndërtuar vendbanime dhe duke kryer bombardime ndaj civilëve. Kjo ka kthyer marrëveshjen e armëpushimit në një dokument formal pa zbatim real në terren.
FARIJE DAUTI BAKIU
