Maqedoni

Sekuestrimi i 40 tonëve të kanabisit, Toshkovski: Ishte prodhuar ilegalisht

10.02.2026 16:26

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar pamje nga sekuestrimi i 40 tonëve të kanabisit...

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar pamje nga sekuestrimi i 40 tonëve të kanabisit, ku autoritetet zyrtare i zbuluan në aksionin e madh policor. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanabisi është i dërguar në objekte të sigurta të kësaj ministrie. Ndërsa numri një i policisë, Pançe Toshkovski, deklaroi se marihuana ishte e prodhuar në mënyrë të paligjshme dhe jashtë normave të parapara. 
 
“Në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera të vendit, besoj se në një kohë reale do të mund të veprojmë me të vetmin qëllim, që të mund ta largojmë këtë sasi të drogës, e cila ishte e prodhuar në mënyrë të paligjshme, ku qëllim kishte shpërndarjen e saj në rrugët e vendit apo edhe rrugët e Evropës.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski. 
 
Mickoski: Të gjitha kompanitë të kontrollohen
 
Qeveria nga ana tjetër ka kërkuar që të gjitha kompanitë të cilat merren me prodhimin e kanabisit shëndetësor të kontrollohen, sepse sipas numrit një të Qeverisë, Hristijan Mickoski, nga këto 40 tonët e sekuestruar, dyshohet se kjo sasi mund të jetë deri në 100 tonë. Mickoski po ashtu theksoi se duhet të parashihet rregullore e veçantë për prodhimin e vajit të kanabisit.
 
“Po formohet komision dhe një ekip, të cilët do të bëjnë kontrollimin e shumë subjekteve juridike, do të shoh punën e tyre, dhe do ta konstatojë gjendjen faktike, si dhe do të konstatojnë se cilat subjekte kanë punuar sipas ligjit, e cilat kanë bërë shkelje të ligjit.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Qeveria me këtë akt po bën defokusim të opinionit
 
Derisa hetimet po vazhdojnë përmes disa telefonatave dhe materialeve tjera, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, theksoi se Qeveria me këtë akt po bënë vetëm defokusimin e opinionit rreth çështjes se si pati mundësi të kalojnë 5 tonë drogë në Serbi.
 
“Në rregull është, le të kontrollojnë gjithçka, dhe secili që ka bërë veprim kriminal të japë përgjegjësi, por unë po them se e gjithë kjo po bëhet për ta defokusuar opinionin, sepse askush nuk po jep përgjigje nga Qeveria se si pati mundësi që 5 tonë drogë përfunduan në Serbi.”, - theksoi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
Ndërsa nga Prokuroria Publike kanë vepruar për këtë rast, por pa shpalosur detaje, vetëm kanë theksuar se janë duke u dëgjuar disa dëshmitarë dhe se janë në bashkëpunim me kolegët nga Serbia.  
 
FITIM KRYEZIU