Botë

Tensione në Lindjen e Mesme, Trampi pret Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë

11.02.2026 12:13

Presidenti Donald Tramp do të presë sot kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë...

Presidenti Donald Tramp do të presë sot kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në të gjithë Lindjen e Mesme dhe negociatat intensifikohen mbi frenimin e programit të armëve bërthamore të Iranit.
 
Netanjahu pritet të bëjë presion mbi Trampin që të arrijë një marrëveshje që do të ndalonte pasurimin e uraniumit nga Irani dhe do të frenonte mbështetjen e tij për grupet e ndërmjetme si Hamasi dhe Hezbollahu.
 
“Do t’i paraqes presidentit pikëpamjen tonë në lidhje me parimet e këtyre negociatave.”, u tha Netanjahu gazetarëve përpara se të nisej për në ShBA. Irani ka thënë se nuk do ta kufizojë pasurimin e uraniumit nëse vendet perëndimore nuk i zvogëlojnë sanksionet që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e tij. Vizita e Netanjahut shënon udhëtimin e tij të gjashtë në ShBA që nga rikthimi i Trampit në detyrë – më shumë se çdo udhëheqës tjetër botëror.
 
Një aleat i ngushtë i Trampit, Netanjahu ka argumentuar prej kohësh se Irani përfaqëson një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Izraelit dhe e ka shtyrë ShBA-në të frenojë ndikimin e Teheranit në rajon.
 
“Kryeministri beson se çdo negociatë duhet të përfshijë kufizimin e raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për boshtin iranian.”, tha zyra e Netanjahut në një deklaratë përpara udhëtimit të tij.