Ekonomi
LSM nesër përsëri në protesta, Trendafillov: Protesta deri në përmbushjen e kërkesave
11.02.2026 14:04
Lidhja e sindikatave këmbëngul në kërkesën e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro...

Lidhja e sindikatave këmbëngul në kërkesën e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe të rritjes lineare të të gjitha pagave të tjera në vend për së paku 100 euro. Ata paralajmërojnë vazhdimin e protestave të enjten në mesditë para Odës Ekonomike të Maqedonisë, Organizatës së Punëdhënësve dhe Konfederatës së Biznesit. Kreu i LSM-së Sllobodan Trendafillov, tha se do t’i bllokojnë rrugët derisa nuk marrin vendim për rritjen e pagavës minimale.
“Do t’i bllokojmë ata derisa nuk marrin vendim për rritjen e pagës minimale për së paku 600 euro dhe rritjen lineare e të gjitha pagave tjera për 6 mijë denarë. 21 prej nesh nga anëtarët apo organeve të LSM-së, siç parashikon ligji, nesër në orën 12:00 do të jemi para Odës Ekonomike për të protestuar. U bëj thirrje të gjithë punëtorëve, të cilët kanë mundësi, ose ata që do të kalojnë rrugës të na bashkëngjiten, qoftë edhe për 5 minuta, sepse të tjerët na numërojnë dhe ata mendojnë se këto bllokada të targetuara dhe në mënyrë të qëllimshme janë vetëm me 21 pjesëmarrës në rrugë vetëm t’u dëshmojmë se nuk na nevojiten 12 mijë qytetarë që dolën më 28 janar.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Trendafillovi deklaroi se ditët e fundit ai dhe familja e tij, përfshirë fëmijët, kanë qenë nën vëzhgim, gjë që, sipas tij, paraqet presion lidhur me angazhimin për rritjen e pagave. Ai u bëri thirrje MPB-së dhe Prokurorisë të shqyrtojnë rastin që lidhet me publikimin e fotografive të fëmijëve të tij të mitur nga deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska.
“MPB-ja, respektivisht ministri i MPB-së dhe Prokuroria duhet urgjentisht të ndërmarrin masa kundër deputetes Dafina Stojanoska, e njëjta Dafina që dikush e njeh si grua të pasur, e cila i publikoi fëmijët e mi të mitur që të gjithë t’i njollosin dhe në këtë mënyrë të më kërcënojë dhe shantazhojë, duke menduar se nëse më vëzhgon përmes fëmijëve, do të më heshtin. Kanë ndodhur shumë katastrofa me fëmijë, por unë nuk dua të besoj se qëllimi i saj ka qenë ky.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Protestat, sipas LSM-së, do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Sipas paralajmërimeve, LSM-ja të martën e ardhshme, kur mbahen seancat e rregullta të Qeverisë, do të bllokojë rrugët përreth ndërtesës së Qeverisë. Ndërkohë, paralajmërojnë se do të organizojnë edhe një protestë masive në të gjitha qytetet e vendit, nëse nuk rriten pagat në vend.
REXHEP QAMILI
