Maqedoni
Legalizimi i pronave, VMRO kërkon vazhdimin e afatit për 5 vite
11.02.2026 14:16
Mijëra objekte të jashtëligjshme priten të legalizohen...

Mijëra objekte të jashtëligjshme, që janë në procedurë legalizimi, priten të legalizohen, edhe pse procedura e tyre rrezikohet nga skadimi i afatit ligjor më 3 mars. VMRO - DPMNE në Kuvend dorëzoi propozim-ligj që afati ligjor i legalizimit të zgjatet edhe për pesë vite të tjera, që procedura ligjore të mos mbetet përgjysmë dhe pronarët e tyre të fitojnë fletëpronësi.
“Ne këtë nuk do ta lejojmë, andaj me këtë propozim-ligj e vazhdojmë afatin për pesë vite, gjegjësisht në vend të pesëmbëdhjetë ligji do të vlejë gjithsej njëzet vite, deri më 3 mars të vitit 2031. Mundësojmë siguri juridike për komunat, si organe kompetente të mund të legalisht të vazhdojnë procedurat veç më të nisura. Ky ndryshim nuk parashikon kërkesa të reja, por është në shërbim posaçërisht të atyre qytetarëve të cilët veç më kanë dorëzuar dokumentacion dhe ndër vite presin fletëpronësinë.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Iniciativa vjen si kërkesë e drejtpërdrejtë e BNjVLS-së dhe komunave, të cilat në përditshmëri përballen me problemet reale të qytetarëve. Ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi automatikisht pas publikimit të ndryshimeve në gazetën zyrtare. Aktualisht shumë qytetarë janë në beteja gjyqësore për konteste pronësore. Mësohet se rreth 50 mijë ndërtesa pa leje janë në listë për legalizim si pasojë e mungesës së dokumenteve, nevojës së verifikimeve teknike apo kundërshtimeve me planifikimin urban.
MERAL ISMAILI
