Maqedoni
Akuza për kontrabandën e drogës, LSDM kërkon përgjegjësi nga pushteti
11.02.2026 14:35
Njëmbëdhjetë ditë publiku pret përgjigje, njëmbëdhjetë ditë pushteti hesht, reagojnë nga LSDM...

Njëmbëdhjetë ditë publiku pret përgjigje, njëmbëdhjetë ditë pushteti hesht, reagojnë nga LSDM, duke kërkuar përgjigje se si 5 tonë drogë me vlerë rreth 40 milionë euro kanë kaluar kufirin maqedonas dhe kanë përfunduar në Serbi. Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska, pyet se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë dhe pse kjo heshtje nga ana e pushtetit.
“Heshtja nuk është rastësi. Heshtja është indikator se ky skandal çon deri në majat e pushtetit dhe se dikush po përpiqet ta mbulojë këtë narko-skandal të madh. Në vend të përgjigjeve, shohim defokusim nga pushteti; krijohet mjegull mediatike për t’iu shmangur pyetjes kyçe. Ndërkohë, “Maduroja maqedonase”, Mickoski, spekulon nëpër media – 25 tonë, 40 tonë, tani paralajmëron 100 tonë. A janë të gjitha kompanitë ilegale? A këtë po porosit Mickoski?! Nëse është kështu, pse nuk është bërë kontroll në kohë?”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
VMRO akuzon Zaevin dhe Filipçen
Nga ana tjetër, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, të cilët thonë se për kontrabandën e drogës, le t’i pyesin Zoran Zaevin dhe Zoran Verushevskin.
“Njohja me Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen, si dhe afërsia me LDSM-në, ka qenë kriteri kryesor për aplikantët, që të merrnin licencë për kanabis mjekësor. Nuk mund të merrte kushdo licencë; kjo ishte e rezervuar për njerëzit e afërt me klanin e Zaevit dhe Filipçes, dhe për këtë arsye rajoni i Strumicës ka më shumë fabrika për kanabis mjekësor. VMRO-DPMNE pyet: Cili ka qenë motivi i Zaevit dhe Filipçes? A kanë dashur ata të shesin kanabis në tregun e zi? A qëndrojnë pas ndryshimit të rregullave? Të gjitha dyshimet për këtë krim të drogës lidhen me Zaev dhe Filipçe, dhe Prokuroria duhet ta hetojë deri në fund për të garantuar drejtësi dhe përgjegjësi.”.
Mbrëmë ministri i Shëndetësisë njoftoi se Qeveria ka sjell vendim për kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha kompanive për prodhimin e kanabisit mjekësor. VLEN-i e mbështet këtë vendim.
“Afati prej 45 ditëve, që institucionet të dorëzojnë raport, është për t’u përshëndetur dhe është dëshmi se kontrollet këtë herë po merren seriozisht, me afat dhe me përgjegjësi. Alarmuese është që pas kaq shumë vitesh, Komisioni ndërinstitucional për luftën kundër prodhimit dhe tregtisë së paligjshme të drogës po vihet realisht në funksion. Ky mekanizëm duhej të ishte aktiv çdo ditë, jo të ekzistonte vetëm në letër.”, - thanë nga Koalicioni VLEN.
VLEN-i pret që këto kontrolle të nxjerrin në pah se kush ka keqpërdorur me licencat, kush ka manipuluar me standardet dhe kush ka përfituar në kurriz të qytetarëve, siç thanë, duke e kthyer një sektor të rregulluar me ligj në burim abuzimi.
ARMEND MURSELI
