Rusia sulmon, Ukraina forcon mbrojtjen, negociatat për paqe vazhdojnë në Abu Dhabi
Dronët dhe raketat ruse vazhdojnë të godasin objektiva në Ukrainë...

Dronët dhe raketat ruse vazhdojnë të godasin objektiva në Ukrainë, ndërsa Kievi paralajmëron riorganizim të mbrojtjes ajrore dhe forcim të ushtrisë. Presidenti Volodimir Zelenski theksoi rëndësinë që Ukraina të dëgjohet nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara gjatë përpjekjeve për paqe dhe në kuadër të Konferencës së ardhshme të Sigurisë në Mynih.
“Po përgatitemi për dy ngjarje të rëndësishme të sigurisë këtë javë. Do të shpallen paketa të reja mbështetjeje për mbrojtjen tonë. Është e rëndësishme që sinjalet e Ukrainës të dëgjohen nga Evropa, nga Amerika dhe nga të gjithë partnerët tanë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian harton një listë të kompromiseve që Rusia duhet të bëjë për një paqe të qëndrueshme, duke akuzuar Moskën për mungesë serioziteti. Nga ana tjetër, Rusia pretendon se garancitë e sigurisë për Kievin vetëm sa e zgjasin konfliktin, duke theksuar si prioritet eliminimin e kërcënimeve ushtarake dhe zgjidhjen e çështjeve territoriale.
“Ne i shohim shkaqet rrënjësore dhe jemi të gatshëm t’i zgjidhim ato. Nuk ka nevojë që Ukraina të anëtarësohet në NATO. Çështja territoriale duhet të zgjidhet mbi bazën e realiteteve që janë krijuar, duke marrë parasysh vullnetin e njerëzve që jetojnë në këto territore.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Ndërkohë që lufta në terren vazhdon, negociatat për paqe vazhdojnë në Abu Dhabi, ku palët zhvillojnë raunde të reja bisedimesh me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Fokusi mbetet arritja e një armëpushimi dhe krijimi i kushteve për një marrëveshje të qëndrueshme. Dialogu pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, mes sfidave dhe dallimeve të thella mes Rusisë dhe Ukrainës. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)
