Rajon

Fjala e fundit e mbrojtjes në Hagë, katërshja e UÇK-së është e pafajshme

11.02.2026 15:01

Pala mbrojtëse kërkon që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm....

Për dallim nga Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pala mbrojtëse kërkon që ata të shpallen të pafajshëm. Avokati i ish-presidentit Thaçi, Luka Misetiq, ka deklaruar se këta katër burra janë të pafajshëm për akuzat që i ngarkon Prokuroria në Hagë. 
 
“Para jush keni katër burra që duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky proces ka ardhur këtu, pasi Prokuroria ka ngritur pretendime se kanë prova që janë fajtorë dhe për rrjedhojë, për më shumë se 5 vjet jemi në këtë proces, ku duhet të bëhet verifikimi i ZPS-së, për të parë nëse mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Hashim Thaçit, por i pretendimit të ZPS-së se Thaçi nuk duhet të jetë i pafajshëm. Ju duhet të nisni kuvendimet se Hashim Thaçi është i pafajshëm, e më pas të mendoni se provat e ZPS-së ju kanë bindur se ai është fajtor. Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj dhe të nxirrni aktgjykim shfajësues, Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm. Ju do të arrini në përfundimin e pashmangshëm se ZPS-ja nuk arriti të plotësojë kriteret e barrës së provës.”, - deklaroi avokati, Luka Misetiq. 
 
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë Politike para periudhës së përmendur në aktakuzë. Po ashtu, sipas avokatit të Thaçit, Prokuroria nuk ka sjellë prova që ai ka qenë figurë udhëheqëse në Lëvizjen Popullore të Kosovës, prandaj e ka cilësuar këtë si pretendim të pabazuar. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Thaçi ka mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve politike që të garantonte të ishin në favor të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, theksoi Mishetiq, duke shtuar se nuk ka dëshmi që Thaçi ka hartuar komunikata politike të UÇK-së, por Prokuroria ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim. Mbrojtja argumentoi se edhe Rexhep Selimi ka pranuar se nuk ka pasur njohuri se kush i përpilonte komunikatat, duke e cilësuar këtë si dëshmi që rrëzon pretendimet e Prokurorisë ndaj Thaçit, derisa sipas avokatit mbrojtës, Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi të kontestojë dëshminë e Selimit.
 
GYLTENE SINANI