Rajon

Tiranë, protestë e PD-së me dhunë dhe arrestime

11.02.2026 15:10

Partia Demokratike mbajti mbrëmjen e së mërkurës protestën e radhës kombëtare...

Partia Demokratike mbajti mbrëmjen e së mërkurës protestën e radhës kombëtare, ku nuk munguan aktet e dhunës dhe molotovët. Protestën e nisën nga kryeministria për të vijuar më pas në Kuvendin e Shqipërisë. Për pasojë të përplasjeve, 19 efektivë policie u lënduan, ndërsa të plagosur mbetën edhe deputeti i PD-së Bledion Nallabati dhe një protestues. Policia arrestoi 11 protestues, mes të cilëve 4 të mitur, ndërsa në hetim janë disa deputetë të opozitës. Pas këtyre ngjarjeve, kryeministri Rama e quajti Partinë Demokratike të vetmen parti në botë që ushtron dhunë.
 
“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe  djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë, që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!  Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!”, - tha kryeministri, Edi Rama. 
 
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, akuzoi PD-në se përdori fëmijë për të gjuajtur policët dhe se autorët do të marrin ndëshkim sipas ligjit.
 
“Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.”, - deklaroi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu. 
 
Edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjuajtjen me molotovë e quajti një akt kriminal të nxitur dhe të organizuar. 
 
LULJETA NDOKA