Provimi i jurisprudencës, BDI kërkon përgjegjësi penale nga Fillkovi

11.02.2026 15:20

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe...

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të kryesojë me reagime, përplasje politike dhe thirrje për mospolitizim të situatës. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjegjësi për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si shkelje me elemente të përgjegjësisë penale.

Sipas tyre, mohimi i kësaj të drejte krijon klimë përjashtuese dhe dëmton barazinë.

BDI i bën thirrje Inspektoratit dhe Prokurorisë të veprojnë, si dhe kërkon përgjegjësi penale për ministrin e Drejtësisë për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

“Prandaj, sot, kërkesat tona janë të qarta: Kërkojmë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkeljet dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit. Ligji është i qartë. Zbatimi i tij nuk është opsion. Pengimi i tij ka pasoja juridike.”, - thanë nga BDI.

Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian ka porositur që çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe të mos politizohet dhe të ketë dialog gjithëpërfshirës.

“Jemi në dijeni për këtë çështje, e cila ka marrë shumë vëmendje gjatë ditëve të fundit. Natyrisht, Kushtetuta dhe legjislacioni kombëtar duhet të shqyrtohen dhe kur lindin çështje të tilla, është thelbësore të zhvillohet dialog gjithëpërfshirës me të gjitha palët e përfshira, mundësisht pa politizim.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.

Kërkesa e studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe këmbyen akuza dhe kritika mes ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, dhe zëvendëskryeministrit Bekim Sali, që mbështeti nismën e studentëve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, për shkak se shqipja është gjuhë zyrtare konform Kushtetutës dhe ligjit.

Ndërkohë edhe kryeministri Mickoski shprehu vullnet politik për zgjidhje ligjore, duke sqaruar se Kushtetuta lejon përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucione, vetëm nëse është konstatuar me ligj.

Kjo çështje u hap nga studentët shqiptarë nga tre fakultete të juridikut, të cilët përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. (Florije Kamberi, TVM2)