Strugë, protestë kundër EVN-së

11.02.2026 15:40

Në Strugë u mbajt një protestë kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike...

Në Strugë u mbajt një protestë kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike nga EVN. Qytetarët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me faturat e fundit, të cilat, sipas tyre, janë shumë të larta dhe jo reale.

“Reagim urgjent dhe zbatim praktik të rishikimit të metodologjisë aktuale me katër blloqe. Kërkojmë që kjo metodologji të rishikohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme, ashtu siç ishte, sepse sistemi me katër blloqe u vendos në kohën e krizës energjetike. Tashmë kriza ka kaluar dhe duhet bërë rishikim, pasi blloku i katërt realisht është një mekanizëm që e rrit ndjeshëm çmimin.”, - theksoi Jetmir Skenderi.

Protestuesit theksuan se veçanërisht “Blloku 4” po ndikon në rritjen e çmimeve dhe po rëndon gjendjen ekonomike të familjeve.

“Ne këtu jemi për drejtësi. Ne duam që çdo qytetar ta ketë çmimin e volitshëm të energjisë elektrike. Kërkojmë mbrojtje për shtresat me nevojë.”, - u shpreh Besnik Asani.

“Çmimet e larta të energjisë as që duhet të diskutohen, sepse janë problem i shtetit dhe i politikave shtetërore. Pasojat e këtyre politikave nuk duhet t’i paguajnë vetëm qytetarët. Prandaj, si çështje parësore, çmimet e larta të energjisë janë të papërballueshme, sidomos për rastet sociale.”, - tha një qytetar.

“Kërkojmë nga EVN-ja mos të na zhvasë. Ne nuk duhet të paguajmë edhe për ata që vjedhin rrymën. Nuk është e drejtë që humbjet nga vjedhjet e energjisë elektrike t’u faturohen konsumatorëve të rregullt.”, - u shpreh një qytetar tjetër.

Gjithashtu, rritjet e faturave janë të papërballueshme. Në muajin nëntor fatura ka qenë 4.000 denarë, ndërsa në muajin janar ka arritur në 12.000 denarë. Kjo rritje e madhe nuk është e arsyeshme dhe kërkon sqarim të menjëhershëm.

Qytetarët e Strugës kërkojnë transparencë dhe drejtësi në faturim, duke theksuar se do të vazhdojnë të reagojnë nëse nuk merren masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. (Fitore Istrefi, TVM2)