Integrimi i vendit, Rokas: Zgjerimi i BE-së prioritet, zbatoni kushtet e vitit 2022
Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur vendin...

Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur vendin në rrugën eurointegruese, dhe njëherësh Maqedonia e Veriut e ka vendin brenda familjes evropiane, por zbatimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kornizës negociuese të vitit 2022, mbetet thelbësor për të ecur përpara drejt hapjes së kapitujve të negociatave, thotë euroambasadori, Mihalis Rokas.
Përkujtoi edhe realizimin e reformave si kusht tjetër për hapërim të mëtutjeshëm. Zgjerimi i Unionit është kthyer në prioritet, ka shtuar Rokas.
“Udhëheqësit e BE-së që kanë vizituar së fundmi vendin kanë pasur një mesazh të përbashkët: dera është e hapur gjerësisht dhe Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane. Ne jemi të gatshëm dhe ata kanë ofruar mbështetje për çdo veprim për ndërtimin e besimit që do të ndërmerret, si dhe për çdo masë apo ide tjetër, me qëllim për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë, ai daton që nga viti 2022 dhe zotimet që ka marrë vendi duhet patjetër të zbatohen.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Euroambsadori Rokas komentoi procesin eurointegrues në suaza të takimit të tij me kreun lokal të Komunës së Bogovinës, ku është njoftuar me implementimin e fondeve evropiane dhe ka shtuar rëndësinë e integrimit drejt përfitimeve reale dhe të prekshme për bashkësitë lokale. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
