Uashingtoni kërcënon Teheranin: Marrëveshje me Iranin ose përgjigje e ashpër

11.02.2026 16:26

Uashingtoni vlerëson se Irani është i interesuar...

Uashingtoni vlerëson se Irani është i interesuar të arrijë një marrëveshje për programin e tij bërthamor. Në një kohë kur tensionet janë rritur dhe ShBA-ja nuk përjashton as mundësinë e veprimit ushtarak, presidenti Tramp deklaroi se do të ishte e paarsyeshme që Teherani të mos pranonte një marrëveshje.

Ai paralajmëroi se, nëse bisedimet dështojnë, Shtetet e Bashkuara do të reagojnë ashpër dhe se janë shqyrtojnë dërgimin e një aeroplanmbajtëseje shtesë në Lindjen e Mesme.

“Për momentin kemi një flotë të madhe që shkon drejt Iranit. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se ata duan të arrijnë një marrëveshje. Do të ishte marrëzi nëse nuk e bëjnë. Herën e kaluar e çmontuam kapacitetin e tyre bërthamor, këtë herë do të duhet të shohim nëse do të çmontojmë edhe më shumë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Teherani theksoi seriozitetin e Iranit në negociata, por paralajmëroi se për arritjen e një marrëveshjeje me ShBA-në nevojitet edhe vullnet i vërtetë nga pala amerikane.

“Shumë herë kemi treguar seriozitetin tonë në bisedime. ShBA-ja flet vazhdimisht për diplomaci dhe dialog, ndërkohë që forcojnë mjetet e presionit. Por, asnjë nga këto presione apo kërcënime nuk do të ketë efekt ndaj Iranit. Për momentin nuk kemi plan të ndryshojmë formatin apo orarin e bisedimeve. Nëse ekziston vullnet dhe seriozitet për të arritur rezultat, ai patjetër mund të arrihet.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagaei.

Në një moment kur Teherani sinjalizon gatishmëri për lëshime të kufizuara, por refuzon bisedime për programin raketor, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu zhvillon takime me presidentin Tramp në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar që në çdo marrëveshje të përfshihen edhe çështjet e raketave balistike dhe aktivitetet rajonale të Iranit. Ndërkohë, nga komuniteti ndërkombëtar vazhdojnë thirrjet për ulje tensionesh dhe për një zgjidhje përmes diplomacisë.

“Tashmë kemi shumë kriza dhe gjëja e fundit që duam është të shtojmë edhe një krizë tjetër me zgjidhje ushtarake për çështjen bërthamore iraniane.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badër Abdelati.

“Fokusi ynë është ulja e tensioneve në rajon dhe shpresojmë që diskutimet mes ShBA-së dhe Iranit të çojnë pikërisht në këtë drejtim.”, - theksoi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.

Përgatitjet për një takim të ri ShBA - Iran vazhdojnë pas bisedimeve të para indirekte në Oman, të cilat Teherani i vlerësoi si një fillim të mirë, megjithëse pa ndonjë përparim të madh. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)