Anëtarësimi i Ukrainës në NATO, diskutohet mbështetja dhe siguria në Bruksel

12.02.2026 14:16

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO...

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte temë diskutimi në takimin e ministrave të Mbrojtjes të aleancës në Bruksel, ku në fokus ishin gjithashtu siguria në Arktik, rritja e shpenzimeve ushtarake dhe vazhdimi i mbështetjes për Kievin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, theksoi se aleanca duhet të mbetet e bashkuar dhe të forcojë mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.

“NATO-ja është aq e fortë sa mund t’i bëjë të dyja dhe duhet të kemi një qasje 360-gradësh ndaj çdo kërcënimi kundër territorit të NATO-s. Që Shtetet e Bashkuara të jenë të sigurta, na duhet një Arktik i fortë dhe i sigurt, një Evropë e sigurt dhe një Atlantik i sigurt. Ne jemi të bashkuar në këtë pikë.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

“Mendoj se ky është momenti vendimtar për të rritur edhe më shumë mbështetjen për Ukrainën dhe për t’i treguar Putinit se Perëndimi nuk do të tërhiqet. Gjithashtu, duhet të vendosen sanksione më të ashpra ndaj ekonomisë ruse. Nëse shtojmë presionin, kjo do të dërgojë një sinjal të qartë për përfundimin e luftës.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Anti Hakanen.

“Këtë pasdite do të konfirmoj se Britania siguron edhe gjysmë miliardë paund shtesë për mbrojtjen ajrore urgjente të Ukrainës.”, - u shpreh sekretari britanik i Mbrojtjes, Xhon Healej.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, është skeptik për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, pasi konsideron se Rusia nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Ukraina do të bëjë gjithçka për të qenë teknikisht gati për anëtarësim deri në vitin 2027. Të paktën do të përfundojmë punët kryesore. Por, dua një datë konkrete, pasi nuk është caktuar një e tillë. Jam i bindur se nëse në marrëveshjen që do të nënshkruhet nga Amerika, Rusia, më saktë Putini, unë si president i Ukrainës dhe Evropa, atëherë Rusia do të bëjë çmos që ta vonojë dhe ta bllokojë procesin.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ndërkohë që BE-ja shqyrton opsione të ndryshme për anëtarësim të përshpejtuar, kryeministri hungarez Viktor Orban e kritikon planin si “një shpallje e hapur lufte kundër Hungarisë”.

“Së pari, ndaloni luftën! Lufta është e keqe për biznesin. Kërkoni paqe! Së dyti, mos i dërgoni paratë tuaja dikujt tjetër, nëse ju duhen për konkurrueshmërinë tuaj. Pra, mos i dërgoni paratë Ukrainës! Së treti, ulni dhe shkurtoni sa më shumë që të jetë e mundur çmimet e energjisë! Është kaq e thjeshtë.”, - theksoi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Në frontin diplomatik, Rusia e vlerësoi bashkëpunimin mes Vladimir Putinit dhe Donald Trampit si “të shkëlqyer” dhe të fokusuar në marrëveshje konkrete, të cilat, sipas Moskës, disa liderë evropianë dhe Zelenski po përpiqen t’i pengojnë. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)