LSM-ja vazhdon protestat për pagat
LSM-ja ka vazhduar protestat para Odës Ekonomike...

LSM-ja ka vazhduar protestat para Odës Ekonomike, duke kërkuar me ngulm rritjen e pagës minimale në 600 euro, e cila, sipas tyre, duhet të përpjestohet sipas koeficientit për të punësuarit në sektorin publik.
Kryetari i sindikatës, Sllobodan Trendafillov, deklaroi se oferta për rritjen e pagave është ende në tryezë, por paralajmëroi se herën tjetër nuk do të shkojnë me ofertë, por me grevë të përgjithshme, e cila do të kushtojë shumë më tepër se pagat e punëtorëve.
“Ja ku jemi te pronarët, pikërisht ata që i dëbuan tërë familjet tona jashtë vendit. Te pronarët që refuzojnë ta rrisin pagën minimale dhe që refuzojnë t’i rrisin pagat e tjera vetëm sepse ligji nuk është ndryshuar. Te pronarët që janë dëgjues të verbër të Qeverisë, ndërsa Qeveria tashmë ka thënë se është marrë vesh me të punësuarit e saj, duke i lënë pronarët fajtorë për grevën e ardhshme të përgjithshme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
“Nuk jemi të gjithë që të jemi në 600 euro pagë, por që ajo të jetë e përpjestuar me koeficientin për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Dhe të harrojmë se për 400 ose 500 euro pagë jo vetëm që nuk do të kemi punëtorë produktivë, por nuk do të kemi kurrfarë punëtorësh e as qytetar në Maqedoni. Nëse nuk pajtohen pronarët që ta ndajnë kulaçin me punëtorët, do të detyrohemi për çdo ditë të jemi në rrugë me ta, me bllokada me shatorë dhe t’ua kujtojmë se më tutje për ato paga nuk do të punojmë.”, - tha një protestues.
Mickoski: Protestat e LSM-së me prapavijë politike
Kryeministri Mickoski ka reaguar për protestat që po i zhvillon LSM-ja. Sipas tij, ata kanë prapavijë politike, të nxitura nga opozita, por siç tha, së shpejti publiku do të shohë prova për lidhjen e organizatorëve të protestave me partitë politike.
“Ata mendojnë se mund t’i sjellin dëm Qeverisë dhe është legjitime nëse mendojnë se kështu do t’i shkaktojnë dëm; ne do të luftojmë për të dëshmuar të kundërtën. Qeveria do të përdorë mekanizmat ligjorë, pagat do të nivelizohen dhe paga minimale do të rritet sipas ligjit. Si punëdhënës, jemi marrë vesh me pothuajse 99 për qind të të punësuarve dhe kemi kontrata kolektive deri në vitin 2028.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
LSDM: Pushteti harxhon për luks, injoron punëtorët
Nga LSDM thonë se Qeveria nga njëra anë injoron kërkesat e punëtorëve, nuk dëshiron t’ua rrisë pagat punëtorëve, e nga ana tjetër dëshiron një avion të ri për Mickoskin.
“Punëtorët protestojnë në rrugë për paga më të mira, për të paguar faturat dhe për të pasur ushqim, ndërsa Qeveria i injoron dhe planifikon të blejë avion të ri. Gruevski me paratë e qytetarëve blinte Mercedes prej 600 mijë eurosh dhe syze prej 60 mijë eurosh, ndërsa Mickoski ka ora prej 60 mijë eurosh dhe dëshiron të blejë avion në kurriz të popullit. Për qytetarët dhe punëtorët nuk ka para, por për luksin e kryeministrit duhet të ketë, kështu funksionon kjo qeveri kriminale, në stil mafioz.”, thonë nga LSDM.
LSM-ja njofton se do të vazhdojë aktivitetet sindikale derisa të arrihet marrëveshja për rritjen e pagës minimale. Nëse kërkesat nuk merren parasysh, janë të gatshëm edhe për hapa më radikalë, duke përfshirë një protestë të madhe në një ditë pushimi për të dërguar një mesazh të fuqishëm për paga dhe kushte më të mira jetese. (Armend Murseli, TVM2)
