Rikonstruimi i Qeverisë pa Fillkovin, Kasami ndeshet me Fillkovin dhe Mickoskin

12.02.2026 14:51

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka reaguar ndaj deklaratave të Bilall Kasamit...

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka reaguar ndaj deklaratave të Bilall Kasamit, njërit nga liderët e VLEN-it, se ministri i Drejtësisë mund të mbetet jashtë Qeverisë pas rikonstruimit. Reagimi i nxitur vjen pas përplasjeve rreth zbatimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Fillkovi mohon mundësinë që provimi të jepet në gjuhën shqipe, por lë të hapur mundësinë për diskutim.

“Atëherë kur Bilall Kasami të bëhet kryeministër, do ta thotë se kush do të jetë ministër, e kush jo. Deri atëherë, ndarja e drejtësisë, respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve do të vlejnë për të gjithë.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.

Edhe kryeministri tha se ai vendos për ndryshimet kadrovike në Qeveri, duke u përgjigjur me ironi për ministrin Fillkov, ndërkaq nuk anashkaloi as ministrin Limani, pas qarkullimit të zërave se Lëvizja Besa mund ta tërheqë nga detyra ministrore.

“Nuk e di, për këtë ndoshta do të duhet ta pyesni zotëri Bilall Kasamin. Unë jam i kënaqur me punën e zotëri Fatmir Limanit dhe mendoj se është vlerë e shtuar në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Unë jam mandatar i Qeverisë dhe unë e formoj Qeverinë. Nëse këtë dikush e ka harruar, ja, ta rikujtoj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Deklaratave të tilla nuk i kundërpërgjigjet Bilall Kasami. Megjithatë ai ripërsërit se në mbledhjen partiake do të flitet për punën e funksionarëve të Lëvizjes Besa në ekzekutiv.

“Atë që pata mbrëmë për ta thënë në emision, e thash. Sot jemi për promovimin e këtij shërbimi. Në mbrëmje do të kemi vendim të kryesisë, ku ne do të flasim për veprimet tona apo për atë që e thash llogaridhënien e funksionarëve tanë në Qeveri.”, - u shpreh Bilall Kasami nga VLEN.

Kryeministri Mickoski ka paralajmëruar se deri në qershor do të ketë ndryshime në postet ministrore. Ai pa dhënë shumë detaje, ka theksuar vetëm se do të ketë rikonstruim të disa resorëve, me qëllim rritjen e efikasitetit të Qeverisë. (Meral Ismaili, TVM2)