Maqedoni
Aliu: Ka filluar kontrolli në kompanitë e kanabisit, Mickoski: “Mish i egër”, rregullorja në kundërshtim me ligjin
12.02.2026 15:19
Ka filluar kontrolli i jashtëzakonshëm në kompanitë për kultivimin e kanabisit...

Ka filluar kontrolli i jashtëzakonshëm në kompanitë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka bërë të ditur se do të kontrollohen 43 licenca.
“Kontrollet e jashtëzakonshme fillojnë prej sot. Deri sa po mbahet konferenca për shtyp, kolegët tanë së bashku me MPB-në janë në terren. 43 licenca duhet të kontrollohen dhe institucione që prodhojnë kanabis për qëllime shëndetësore. Ekspertët tanë së bashku me dy profesorë universitarë po i analizojnë rregulloret me zgjidhjet ligjore. Bazuar në atë raport, nëse ka nevojë do të ngrihet procedurë për rregulloret.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Kontrollet do të konfirmojnë nëse kompanitë që kultivojnë kanabis kanë punuar sipas ligjit deklaroi kryeministri Mickoski, sipas të cilit rregullorja është në kundërshtim me ligjin.
““Mish i egër”, rregullore që është në kundërshtim me ligjin, edhe pse të gjithë farmacistët mesatarë dhe njerëz të kësaj lëmie, e dinë se në ambient të hapur kur kultivohet lulja e kanabisit, në asnjë mënyrë nuk mund t’i plotësojë standardet e nevojshme për vaj kanabisi. Është e dukshme se dikush duke e miratuar atë rregullore, me vetëdije ka hyrë në vepër penale dhe praktikisht ka qenë fillimi i krimit të organizuar.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Deri më tani janë konfiskuar 40 tonelata marihuanë, ndërsa kryeministri ka paralajmëruar se kjo sasi mund të arrijë deri në 100 tonë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
