Maqedoni

Tetovë, promovohet transporti publik falas

12.02.2026 15:55

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, ka promovuar sot...

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, ka promovuar sot, siç tha, “Transportin publik falas për të gjithë qytetarët”. Sipas Kasamit, qytetarët të cilët paraprakisht i kanë të shlyera obligimet ndaj komunës dhe ndërmarrjeve komunale do të mund ta shfrytëzojnë transportin publik falas, nxënësit dhe të punësuarit nëpër institucione publike, shoqatat joqeveritare, por këta së pari duhet të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi.
 
“Për qytetarët të cilët i kanë shlyer të gjitha obligimet ndaj Komunës së Tetovës, transporti publik do të jetë falas. Mjafton të aplikojnë në T-link për vete dhe për anëtarët e familjes. Kemi për kategorinë “J” bileta për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Tetovës, ku lista bëhet nga shkollat përkatëse dhe nxënësit pajisen me kartelë dhe po ashtu është falas. Dhe në fund janë institucionet dhe shoqatat, respektivisht kategoria “G”, që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Tetovës. Për të gjitha kategoritë e qytetarëve, e konform tyre, do të duhet të kemi marrëveshje me institucionin që i përfaqëson.”, - deklaroi kreu i Tetovës, Bilall Kasami.
 
Nga ana tjetër, banorët e Malësisë së Tetovës nuk e shfrytëzojnë këtë të mirë, pasi nuk ka linjë të transportit publik. Kasami tha se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje për fshatrat e Malësisë së Tetovës, po të njëjtët mund t’i shfrytëzojnë në linjat e qytetit.
 
“Transporti publik për momentin në linjat që i ka do të vlejë për qytetin e Tetovës, jemi duke punuar që të sigurojmë edhe për fshatrat që janë pjesë e Komunës së Tetovës, më konkretisht për fshatrat e malësisë. Për në Kodër të Diellit do të jetë i subvencionuar, por nuk do të jetë pa pagesë.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës po pret nga Ministria e Transportit edhe pesë autobusë elektrikë, që sipas Kasamit janë në procedurë, por pa treguar se kur të njëjtët  do të arrijnë në Komunën e Tetovës.
 
VISAR SADIKI