Botë
Kuvendi i Shqipërisë: Prokuroria e Hagës po e shtrembëron historinë
12.02.2026 16:31
Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë unanimisht...

Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë unanimisht e konsideron kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për të dënuar me nga 180 vite ish-liderët e UÇK-së, si një shtrembërim të rëndë historik.
Në një deklaratë të përbashkët, forcat politike shqiptare dënojnë ashpër atë që po ndodh në Gjykatën Speciale të Hagës.
“Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.”, - deklaroi deputeti i PS-së, Igli Hasani.
Në deklaratë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë jep mbështetjen e pakufizuar për luftën e drejtë të UÇK-së dhe kërkon pafajësi për të 4 ish-komandantët.
“Është detyrë e Kuvendit të miratojë këtë deklaratë, të denoncojë një proces farsë që realizohet në Hagë, duke qenë në krah të atyre që luftuan për liri dhe deri më sot nuk është prezantuar asnjë provë konkrete të atyre që e akuzojnë për krime imagjinare.”, - theksoi deputeti i PD-së, Tritan Shehu.
Më herët, punimet e seancës plenare u përshinë nga tensionet, me PD-në që i kërkoi Ramës dorëzimin e Belinda Ballukut, si dhe me akuza për dhunën e përdorur në protestën Partisë Demokratike të martën.
LULJETA NDOKA
