Botë
Kurti: Së shpejti diskutime me partitë për presidentin
12.02.2026 16:49
Qeveria Kurti 3, në mbledhjen e parë të saj, ka proceduar për miratim në Kuvend...
Qeveria Kurti 3, në mbledhjen e parë të saj, ka proceduar për miratim në Kuvend propozim-buxhetin për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën prej 4 miliardë eurosh, i cili mes tjerash përmban edhe pagën e 13-të për sektorin publik, e cila, siç tha kryeministri Kurti do të paguhet sapo të miratohet buxheti në Kuvend.
Kryeministri Kurti njëherësh ka shprehur gatishmëri që pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të nisin diskutimet me subjektet e tjera politike për zgjedhjen e presidentit.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimi i buxheti të vitit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Posa të përfundojnë këto, jam i gatshëm që nga nesër t’ia fillojmë kontakteve dhe diskutimet me subjektet tjera politike, për çështjen e presidentit. Si kabinet qeveritar do të shihemi shumë shpejt në mbledhjet e radhës dhe mbledhjet e rregullta të Qeverisë sonë, ku do të përmbushim një nga zotimet tona, duke filluar me pesë vendimet e para për të cilat jemi zotuar para qytetarëve tanë e vendimin për to e nisim me këtë mbledhje të sotme.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Deri më tani, ambicie për postin e presidentit kanë shprehur presidentja aktuale Vjosa Osmani dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Për zgjedhjen e presidentit në raundin e parë nevojiten 80 vota, që nënkupton se për t’u konsumuar ky raund, në sallën e Kuvendit, duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Nëse në raundin e parë nuk zgjidhet presidenti me dy të tretat e votave, në raundin e dytë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri më 4 mars, Kosova automatikisht do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
GYLTENE SINANI
