Greqi, vrau me thikë pakistanezin në qeli, dënohet me burg të përjetshëm i burgosuri shqiptarë

13.02.2026 10:25

Incidenti ndodhi më 20 korrik të vitit 2019-të...

Gjykata e Përzier e Apelit shqyrtoi çështjen e vrasjes së një të burgosuri në burgun e Hanias, në zonën e Agias, një ngjarje e rëndë që tronditi institucionin e vuajtjes së dënimit në verën e vitit 2019.

Incidenti ndodhi më 20 korrik 2019, kur një grup të burgosurish shqiptarë u përleshën me një grup pakistanezësh brenda ambienteve të burgut. Nga përplasja mbetën të plagosur tre persona, njëri prej të cilëve u godit me një thikë të improvizuar dhe pësoi plagë të rënda. I burgosuri, me origjinë pakistaneze, u transportua menjëherë në Spitalin e Përgjithshëm të Hanias, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai luftoi për jetën për dy ditë në Njësinë e Kujdesit Intensiv, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
 
Pas hetimeve, katër të burgosur u arrestuan për përfshirje në vrasje. Sipas dosjes hetimore, ata ishin identifikuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së burgut.
 
Nga katër të pandehurit, njëri – me origjinë shqiptare – i cili kishte qëndruar në paraburgim gjatë gjithë këtyre viteve, u shpall fajtor për vrasje nga Gjykata e Apelit me Juri të Përzier dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Tre të pandehurit e tjerë u liruan nga akuzat për shkak të dyshimeve, në përputhje me parimin juridik “në favor të të pandehurit”.
 
Vendimi i gjykatës mbyll një proces të gjatë gjyqësor për një nga incidentet më të rënda të dhunës të regjistruara në burgun e Hanias.